U dënua me 20 vite burg për protestat në Kajro dhe përhapjen e lajmeve të rreme, presidenti i Egjiptit i jep amnistinë aktivistit britaniko-egjiptian

22/09/2025 19:02

Një aktivist britaniko-egjiptian, i cili u dënua me 15 vite burg gjatë protestave në Kajro, është falur nga presidenti egjiptian.

Alaa Abd El Fattah u bë një nga aktivistët më të shquar gjatë protestave të vitit 2011 që çuan në rrëzimin e ish-presidentit Hosni Mubarak. Në vitin 2014, ai u dënua me 15 vite burg, dënim që më vonë u reduktua në pesë.

Aktivisti u lirua në vitin 2019, por u arrestua sërish për një postim në Facebook në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut në burgjet egjiptiane, çka çoi në një tjetër dënim 5-vjeçar në vitin 2021 për “përhapjen e lajmeve të rreme”.

Sot, avokati i tij, Khaled Ali, përmes një deklarate në Facebook, njoftoi lajmin e faljes nga presidenti. “Zoti është gjykatësi. Presidenti i Republikës ka lëshuar një dekret që fal Alaa Abd El Fattah. Urime!“, shkroi ai.

Presidenti deklaroi se gjithashtu janë falur edhe pesë të burgosur të tjerë, por ende nuk është e qartë se kur do të lirohen.

Gjatë qëndrimit të tij të dytë në burg, familja e aktivistit ka pohuar se kushtet në të cilat ai jetonte ishin të këqija, pasi nuk ekspozohej ndaj diellit dhe nuk kishte mundësi të lexonte apo të ushtronte aktivitet fizik.

Avokati u përpoq ta lironte atë edhe më herët, në vitin 2024, duke argumentuar se dy vitet e paraburgimit të klientit të tij duhet të llogariteshin, por prokurorët kundërshtuan dhe thanë se ai nuk do të lejohej të dilte deri në janar të vitit 2027.

Refuzimi nga prokurorët e shtyu nënën e tij të fillonte një grevë të gjatë urie në shtator të vitit të kaluar, por i dha fund pas disa muajsh, pas lutjeve të familjes së saj të shqetësuar se kishte humbur 35 kg dhe ishte sëmurë rëndë.

Top Channel