Katër banesa të vjedhura në Himarë, arrestohen disa persona/ Nis hetimi për një 18-vjeçare të përfshirë

22/09/2025 13:29

Tre persona janë vënë në pranga pasi akuzohen për vjedhjen e katër banesave në Himarë.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Break in”, janë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarit, të cilët dyshohet se kanë vjedhur shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, në këto banesa gjatë 2 muajve të fundit.

Në banesën e njërit prej të arrestuarve u gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, 3 silenciatorë, municion luftarak dhe sende që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e vjedhjeve.

Gjithashtu po procedohet penalisht një 18-vjeçare, për moskallëzim krimi.

Si rezultat i këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-E. G., 31 vjeç, banues në Sarandë;
-D. R., 39 vjeç, banues në Sarandë;
-K. H., 37 vjeç, banues në Finiq.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer disa vjedhje në territorin e bashkisë Himarë, konkretisht:

-më datë 15.08.2025, dyshohet se kanë vjedhur 250 000 lekë, në banesën e shtetasit N. L., në fshatin Pilur;
-më datë 27.08.2025, dyshohet se kanë vjedhur 1 300 000 lekë, në banesën e shtetasit A. B., në fshatin Piqeras;
-më datë 19.09.2025, dyshohet se kanë vjedhur 200 000 lekë, në banesën e shtetasit Q. M., në fshatin Borsh;
-më datë 20.09.2025, dyshohet se kanë vjedhur vegla të ndryshme pune, në banesën e shtetasit G. N., në fshatin Borsh.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. M., 18 vjeçe, banuese në Sarandë, pasi dyshohet se ka patur dijeni mbi këtë aktivitet kriminal, por nuk ka kallëzuar.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Top Channel