Nga Dr.Klodian Rado

Në Shqipëri, drejtësia nuk është vetëm e vonuar, shpesh është e mohuar. Këtë tashmë e ka deklaruar disa herë Gjykata e Strasburgut në vendimet e saj kundër Shqipërisë, dhe vonesat i ka pranuar zyrtarisht në të gjitha raportet e fundit të saj edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) që është organi qeverisës i gjyqësorit. Shifrat statistikore janë të ftohta, por pas tyre fshihen jetë të thyera, familje që shkatërrohen, biznese që mbyllen, e qytetarë që humbasin shpresën. Një proces gjyqësor i thjeshtë për një konflikt pronësie, divorc apo mosmarrëveshje për një kontratë, mund të zgjasë 15 deri në 20 vjet. Nëse një qytetar depoziton sot një padi civile, ka gjasa që vendimi final në Gjykatën e Lartë të vijë pas vitit 2040.

Kjo nuk është thjesht statistikë. Është jeta e një qytetari që pret dhjetëra vite për një vendim të formës së prerë. Është biznesi që falimenton duke pritur “ditën e gjykimit”. Është familja që plaket në korridoret e gjykatave. Sipas statistikave zyrtare të KLGJ-së, në fund të vitit 2024 dhe fillim të vitit 2025, Gjykata e Lartë raportoi mbi 20 mijë çështje të pashqyrtuara, me një kohë mesatare për tu gjykuar në Gjykatën e Lartë prej 5 vjetësh. Në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, gjenden mbi 50 mijë çështje që presin të gjykohen, 5 mijë çështje më shumë se në vitin e kaluar me një mesatare prej 7.3 vjet për tu gjykuar. Në Gjykatat Administrative të Apelit situate është edhe më e rëndë ku mesatarisht çdo gjyqtar ka mbi 2,300 çështje secili, dhe backlog është rritur me disa mijëra dosje krahasuar me një vit më parë, dhe koha mesatare e gjykimit të çështjeve në këtë gjykatë sipas vetë raporit të KLGJ-së është afro 10 vjet. Në gjykatat e shkallë së parë situata është njëlloj e rëndë ku dhjetëra mijëra dosje presin për tu gjykuar me vite. Për ta përmbledhur, gjyqësori shqiptar përbëhet nga gjyqtarë të tejngarkuar që mbajnë mbi supe mijëra çështje secili, që është shumëfish i standardeve ndërkombëtare, dhe nga qytetarë që nëse çështja e tyre do të kalonte në të treja shkallët, koha e gjykimit është rreth 20 vjet.

Ky është realiteti i hidhur i drejtësisë shqiptare edhe pas reformës. Një sistem i lodhur, i ngarkuar deri në kolaps, ku drejtësia e vonuar, shpesh here e mohuar, është kthyer në normë. Ky nuk është një problem teknik apo thjesht “procedurial”. Është një tragjedi kombëtare. Është një plagë që po shkatërron themelet e besimit në sistemin e drejtësisë, po minon ekonominë, po i largon të rinjtë nga vendi dhe po e lë shoqërinë shqiptare pa oksigjenin e nevojshëm, besimin se ligji dhe institucionet funksionojnë.

Fotografimi i kësaj pamje nuk është një nekrologji. Kjo është një thirrje zgjimi. Drejtësia mund të shpëtohet. Por sigurisht, jo thjesht me deklarata, por me masa konkrete, të menjëhershme, të matshme, që duhet të nisin një sekondë e më parë. Nuk ka nevojë të “shpikim rrotën” në Shqipëri. Shumë vende e kanë zgjidhur para nesh, mjafton të kemi vullnetin e duhur.

Nëse problemi është kaq i madh, zgjidhjet duhet të jenë po aq të guximshme. Jo gjysmake. Jo reformë për sy e faqe. Jo konferenca me “powerpoint” bosh. Shqipëria ka nevojë për një plan kombëtar emergjent për shpëtimin e drejtësisë. Këto masa nuk mjafton të vijnë vetëm nga organet e gjyqësorit, por duhet të jenë multidimensionale e që përfshijnë të treja pushtetet, dhe disa aktorë dhe faktorë.

Më poshtë janë përzgjedhur me kujdes 40 masa, të grupuara në disa kategori, që të ndërmarra me guxim, mund të ulin drastikisht numrin e çështjeve të pazgjidhura (backlog-un), të shkurtojnë kohët e gjykimit dhe të rikthejnë dinjitetin e ligjit dhe drejtësisë në Shqipëri.

I. Ndryshime ligjore dhe procedurale

  1. Ndërmjetësimi i detyrueshëm: Ky instrument është i pari dhe më i domosdoshmi. Asnjë padi civile/administrative/familjare/pune/tregëtare nuk duhet të lejohet të depozitohet në gjykatë pa provuar paraprakisht që për një afat të caktuar është tentuar zgjidhja me anë të mjeteve alternative të zgjidhjes të konflikteve (shkurt ndërmjetësimi). Përjashtime mund të ketë vetëm për urgjenca (masa sigurie).
  2. Pajtimi gjyqësor i detyrueshëm: Edhe në rastet që përfundojnë në gjykatë, që në seancën e parë, gjykata duhet të ketë detyrim ligjor përpjekjen për zgjidhjen e cështjes me pajtim, e mandej mund ta referojë cështjen për zgjidhje tek njësia e ndërmjetësimit, që mund të ngrihen pranë gjykatave.
  3. Afate maksimale vendimmarrjeje: Gjykata dhe palët ndërgjyqëse duhet të kenë dhe të respektojnë afate standarde ligjor për çdo shkallë; dhe që sjellin pasoja etike apo procedurale kur afatet shkelen.
  4. Renditje sipas urgjencës: Kodet duhet të detyrojnë prioritizim për çështjet më të vjetra, apo për cështje me ndikim të madh publik/ekonomik, apo për palët të cilat janë ne emergjenca për shkak të moshës, gjendjes ekonomike, nevojave etj.
  5. Filtra pranueshmërie në ankim/rekurs: E drejta e apelit (leave to appeal) të jetë jo automatike për këdo, por vetëm me lejim të gjykatës me vendim të ndërmjetëm. Kjo mundëson që të shmangen abuzimet me të drejtën e apelimit.
  6. Vendime të përmbledhura: Gjykata duhet të ketë kompetencë të zgjeruar për dhënien e “vendime të përmbledhura” (summary judgments) kur faktet janë të qarta dhe të padiskutueshme, ose për cështje të vogla.
  7. Sanksione për abuzimet: Gjykata të ketë të drejtën për të vendosur gjoba procedurale ndaj palëve apo avokatëve abuzues, si dhe të ngarkojë koston tek pala shkaktuese, për padi të pabazuara dhe shmangie të qëllimshme të zgjidhjes me ndërmjetësim.

II. Përmirësim menaxhimi nga KLGJ, drejtuesit e gjykatave dhe gjyqtarët

8. Task Force Anti-Backlog: Të krijohet trupa e posaçme me gjyqtarë të komanduar vetëm për çështjet e vjetra, psh 5+ vjeçare, në të gjitha gjykatat problematike, me staf ndihmës të dedikuar vetëm për këto raste.

9. Algoritëm i barabartë shpërndarjeje: Të bëhet rishikim i sistemit të shpërndarjes, duke vendosur kritere strikte si dhe transparencë publike.
10. Plan vjetor për ulje backlog-u: Cdo gjykatë duhet të ketë targete uljeje backlog-u, dhe kjo të lidhet me përgjegjësinë e cdo gjyqtari dhe të kryetarit, duke sjellë si pasojë reflektim tek sistemi i pikëzimit për vlerësimin e gjyqtarit.

11. Vlerësim i gjyqtarëve sipas aftesisë për uljen e backlogut: Gjyqtarët të vlerësohen jo vetëm bazuar mbi numrin e dosjeve të mbaruara, por dhe për kohë mesatare, cilësinë e gjykimit (shkalla e prishjes), zgjidhjet e cështjeve me pajtim, referimi për përdorim të ndërmjetsimit.
12. Raportim publik periodik: Çdo gjykatë duhet të bëjë raportim publik cdo 3 muaj për masën e backlogut të krijuar apo të hequr, ose për kohën mesatare të gjykimit në atë gjykatë.

III. Rritja dhe përmirësimi i burimeve njerëzore

13. Rritje emergjente kapacitetesh: Shqipëria duhet të rrisë numrin e gjyqtarëve sipas raportit mesatar të vendeve të BE-së. Një masë tjetër e domosdoshme është edhe shtimi i stafit ndihmës administrativ, duke caktuar të paktën një apo disa ndihmës/këshilltarë ligjorë për cdo gjyqtar përfshirë ata të shkallës së parë. Kjo masë jo vetëm që ndihmon sistemin gjyqësor, por ul edhe koston finaciare, pasi i lejon gjyqtarit të fokusojë energjitë në zgjidhjen e cështjeve dhe kryerjen e seancave gjyësore.
14. Specializim gjyqtarësh/dhomash: Krijimi i seksioneve apo nënseksioneve në cdo gjykatë si psh për cështjet civile, familjare, punës, sigurimeve, tregtare; pra caktimi i gjyqtarëve të dedikuar dhe të specializuar për fushat me numrin më të madh të cështjeve.
15. Trajnim i detyrueshëm: Të gjithë kryetarët e gjykatave, gjyqtarët dhe stafet e tyre ndihmëse duhet të trajnohen për përmirësimin e menaxhimit të çështjeve, përdorim teknologjie, zgjidhjen e cështjeve me pajtim, si dhe referimin për ndërmjetësim.

IV. Përdorimi i Teknologjisë
16. Seanca online (e-courts): Ka ardhur koha që edhe sistemi gjyqësor shqiptar të ecë me hapin e teknologjisë, ashtu si gjykatat e vendeve simotra nëpër botë. Kryerja e proceseve gjyqësore duhet të mundësohet online për të gjitha cështjet, dhe në cdo faze të procesit si kursim kohe dhe ulje kostosh, ku secila nga palët apo përfaqësuesit e tyre mund të marrin pjesë onlinë në seance.
17. E-filing & njoftim elektronik: Depozitim elektronik i padive apo kërkesave, dhe kryerja e njoftime me vlerë ligjore përmes email/SMS/aplikacioneve të dedikuara, është tjetër masë e domosdoshme që duhet të kthehet në normë. E njëjta gjë dhe për lëshimin e vendimeve gjyqësore, të cilat mund të siglohen elektronikisht, pa pasur nevojën për sportele e vendime të printuara me vula e firma të njoma të shekullit të kaluar.
18. Menaxhim elektronik: Pasja e sistemit elektronik personal për çdo gjyqtar me afate, alarm për vonesa, dhe planifikim inteligjent seancash.
19. Përdorimi i Inteligjencës Artificiale (AI): AI mund të përdoret për shumë pjesë të procesit, duke përfshirë draftimin e vendimeve gjyqësore, njoftimet e palëve, procesverbalet gjyqësore, etj.

V. Ndërmjetësimi/Arbitrazhi si rrugë e pare dhe jo e fundit në shumicën e cështjeve
22. Cështjet Familjare: Përpara ngritjes të padisë për divorc/kujdestari/detyrim ushqimor/pjesëtim pasurie, palët duhet të kenë detyrim për zgjedhjen e cështjes me ndërmjetësim. Përjashtim mund të bëhet vetëm në rastet e dhunës në familje.
23. Cështjet e Punës: Përpara ngritjes të padisë për shkarkim, paga, orare, fillimisht palët duhet të kenë detyrim për zgjedhjen e cështjes me ndërmjetësim.
24. Cështjet e sigurimeve: Përpara ngritjes të padisë për cështjet e sigurimit të jetës, shëndetit, shtëpisë, palët duhet të kenë detyrim për zgjedhjen e cështjes me ndërmjetësim, dhe gjykata pranon padi vetëm pas dështimit të zgjidhjes me marrëveshje apo ndërmjetësim.
25. Cështjet tregëtare: Në rast konflikti, para ngritjes të padisë, zgjidhja me pajtim apo ndërmjetësim duhet të jetë e detyrueshme, mandej mund të zgjidhet me arbitrazh të shpejtë për bizneset, psh afat 90-ditor për tarifa konflikti deri në shuma të caktuara.
26. Ekzekutim i thjeshtëzuar i marrëveshjeve të ndërmjetësimit: Të gjitha cështjet e zgjidhura me ndërmjetësim të konsiderohen tituj ekzekutivë, dhe në rast moszbatimi vullnetar, të konsiderohen lëshim urdhër ekzekutimi automatik brenda 10 ditëve, pa seancë, vetëm duke njoftuar palët.
27. Ndihmë ekonomike publike për ndërmjetësimin: Shteti mund të marrë masa nxitëse ndaj ndërmjetësimit, duke mbuluar kostot për 1 ose 2 seancat e para për zgjidhjen me ndërmjetësim për individë me të ardhura të ulëta.
28. Ndërmjetësim gjyqësor: Në rast dështimi të zgjidhjes me pajtim apo me ndërmjetësim, të krijohen edhe njësi ndërmjetësimi me gjyqtarë pranë çdo gjykate me panel të akredituar me rotacion, sic krijohen psh panelet për masat e sigurimit.

VI. Edukim dhe kulturë e re juridike
29. Ndërmjetësimi në kurrikula: Ndërmjetësimi duhet të futet jo vetëm si lëndë e detyrueshme në juridik (BA/MA), por në cdo fushë të së drejtës të ketë të paktën një kapitull për zgjidhjen e cështjes me ndërmjetësim. E njejta gjë, por në nivel më të thelluar duhet të kryhet në Shkollën e Magjistraturës, Shkollën e Avokatisë dhe të Noterisë.
30. Edukimi i hershëm: Futja e temave apo lëndëve menaxhim konfliktit, apo klube debate, që në shkollën 9-vjecare, si dhe në shkollën e mesme.
31. Klauzola ndërmjetësimi në kontrata: Avokatë dhe noterë duhet të vendosin ndërmjetësimin si klauzolë të detyrueshme, në të gjitha kontratat që hartojnë për klintët e tyre, si psh në kontrata qiraje, shërbimi, punësimi, ortakërie etj.
32. Rritja e kapaciteteve dhe cilësisë të ndërmjetësve: Ka ardhur koha për krijimin e Shkollës Kombëtare së Ndërmjetësave, me program me kohë të plotë, sic është Shkolla e Magjistraturës, apo sic janë Shkolla e Avokatisë dhe Shkolla e Noterisë, ku përvec vitit teorik, të vendoset e detyrueshme edhe kryerja e praktikës një vjecare si pjesë e programit. Të vendosen kritere të forta përzgjedhjeje të kandidatëve për ndërmjetës, të rriten dhe përmirësohen kriteret e licensimit, të rriten kërkesat për trajnime vazhduese si elementë të detyruar për mbajtjen e licencës, si dhe të kryhen auditime dhe disiplinim në rast abuzimi, monitorime për etikën, publikim performance, etj.

VII. Administrata dhe ekonomia në një linjë

33, Protokolle ndërmjetësimi në organet publike: Para se qytetari të ketë të drejtën për ngritjen e padive administrative, procesi administrative të ketë të detyruar zgjidhjen e cështjeve me ndërmjetësim, me qëllim zgjidhje më të shpejtë, dhe me më pak kosto kohore dhe fiskale.
34. Ombudsman i Ndërmjetësimit: Të krijohet Ombudsmani i Ndërmjetësimit, për rastet e konflikteve të qytetarit me administratën publike. Ombudsmani mund të ketë kompetenca për zgjidhjen e cështjeve me ndërmjetësim psh në konfliktet për taksat/tatimet, lejet,  licensat, energjinë, etj, me qëllim zgjidhje të shpejta e të detyrueshme, para lejimit për ngritjen e padisë administrative në gjykatë.
35. Lehtësi tatimore për bizneset “ADR-friendly”: Të vendosen stimuj tatimorë për ato biznese që përdorin zgjidhjen më ndërmjetësim.

VIII. Zgjidhje kreative dhe të guximshme

36. Pezullim 6-mujor: Të gjitha dosjet e vjetra psh mbi 2 vjet në proces, të kalojnë detyrimisht në ndërmjetësim të detyrueshëm. Gjykata e vazhdon cështjen atje ku kishte mbetur, vetëm me në rast mozgjidhje me ndërmjetësim.
37. Fee-shifting: Pala që refuzon pa arsye zgjidhjen me ndërmjetësim dhe humbet në gjykim, paguan kostot shtesë.
38. Plan Kombëtar për Drejtësinë: Të hartohet një Plan Kombëtar 5-vjeçar për uljen e backlog-ut, me angazhim të përbashkët të Kuvendit, Qeverisë, KLGJ, Dhoma e Avokatisë, Dhoma e Noterëve dhe Dhoma e Tregtisë.
39. Të miratohet një buxhet i posaçëm për backlogun, për futjen e teknologjisë në gjykim, si dhe për trajnimin e gjyqtarëve dhe stafit ndihmës.
40. Të zhvillohet një fushatë e thellë dhe e vazhdueshme kombëtare informuese për të promovuar ndërmjetësimin dhe arbitrazhin, si mjete alternative shumë më të mira se sa zgjidhja gjyqësore.

Kjo paketë multidimensionale nuk është fantazi, është vullnet. Asnjë masë e vetme nuk mjafton; por sa më shumë prejt tyre, të zbatuara së bashku, të zbatuara me disiplinë, janë një rrugëdalje reale nga kriza e rëndë që ka mbërthyer drejtësinë shqiptare. Institucionet duhet të shkunden. Kuvend i Shqipërisë, Qeveria, Këshill i Lartë Gjyqësor, gjykatat, nuk kanë më luksin e pritjes. Çdo ditë e humbur është një qytetar më shumë që humb besimin, një biznes që largohet, një brez që ikën nga ky vend.

Shoqëria civile duhet të kërkojë llogari, por dhe të promovojë këto masa. Media duhet të kthehet në aleate kryesore e tyre dhe të mbajë fokusin e monitorimit shumë afër. Ne të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë, sepse drejtësia nuk mund të presë më. Sot është dita që shteti dhe gjithë shoqëria shqiptare duhet të zgjedhë midis dy fjalëve: “nesër” ose “tani”. Nëse zgjedhim “tani”, ka shpresë. Nëse zgjedhim “nesër”, do të shkruajmë sërish pas 10 vitesh për të njëjtën plagë, për të njëjtin lot. Koha e drejtësisë është tani.

Top Channel