A do ta mbrojë Donald Trump Europën nëse sulmohet nga Rusia? Ja si përgjigjet presidenti amerikan

22/09/2025 11:31

Raportet e përsëritura për ndërhyrje ruse në hapësirën ajrore të NATO-s kanë intensifikuar diskutimet rreth qëndrimit të Shteteve të Bashkuara nëse Moska ndërmerr veprime të mëtejshme agresive kundër vendeve evropiane.

Në këtë kontekst, Presidenti i SHBA-së Donald Trump u pyet të dielën nëse do të ndihmonte në mbrojtjen e anëtarëve të Bashkimit Evropian nëse Rusia do të përshkallëzonte armiqësitë. “Po, do të doja. Do të doja”, u tha ai gazetarëve pak para se të nisej për ceremoninë përkujtimor të Charlie Kirk.

I pyetur nëse ishte informuar për ngjarjet në Estoni, Trump konfirmoi se ishte informuar dhe shtoi: “Nuk na pëlqen”.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sot për ndërhyrjet ruse në Estoni.

Një seancë urgjente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të mbahet sot për çështjen e hyrjes së tre aeroplanëve rusë në hapësirën ajrore kombëtare të Estonisë. Tre avionë luftarakë rusë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë mbi Gjirin e Finlandës dhe qëndruan atje për rreth 12 minuta, njoftuan të premten Estonia dhe NATO. Italia, e cila ka marrë përsipër një mision të NATO-s për të ruajtur qiellin mbi Detin Baltik, por edhe Suedia dhe Finlanda ngritën aeroplanë për të kapur tre avionet. “Më 22 shtator (…), Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një takim urgjent në përgjigje të shkeljes flagrante të hapësirës ajrore estoneze të premten e kaluar nga Rusia”, sipas një deklarate nga diplomacia estoneze e publikuar sot. Është hera e parë në 34 vitet e pjesëmarrjes së Estonisë në OKB që ky vend, gjithashtu anëtar i BE-së dhe NATO-s dhe një mbështetës i vendosur i Ukrainës, ka kërkuar zyrtarisht një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit. Kryeministri estonez njoftoi të premten se vendi i tij do t’i kërkojë NATO-s të aktivizojë Nenin 4 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i cili parashikon konsultime midis aleatëve në rast se një nga anëtarët e tij kërcënohet.

Top Channel