Përleshje e dhunshme në rrugët e Milanos, të përfshirë shqiptarë dhe afrikanë/ Një 32-vjeçar në gjendje të rëndë

21/09/2025 09:35

Një përleshje e dhunshme ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit të së dielës në rrugën “Pellizza da Volpedo”, në zonën Amendola të Milanos.

Një 32-vjeçar egjiptian u sulmua dhe u godit disa herë me thikë nga një grup prej rreth dhjetë personash. Ai u gjet i plagosur rëndë përpara një ndërtese dhe u transportua me urgjencë në spitalin Niguarda në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.

Sipas informacioneve të para, viktima ndodhej në shoqërinë e dy bashkëkombasve të tij kur ndodhi sulmi. Grupi i agresorëve, që përfshinte persona nga Afrika e Veriut dhe nga komuniteti shqiptar, u largua menjëherë pas incidentit, duke e lënë të plagosurin në vendngjarje. Fillimisht u raportua për të shtëna me armë zjarri, por më vonë u konfirmua se nuk kishte plagë nga armë zjarri dhe në vendin e ngjarjes nuk u gjetën gëzhoja.

Hetimet janë duke vazhduar për të identifikuar autorët dhe për të sqaruar shkaqet e ngjarjes. Dy egjiptianët e tjerë që ndodheshin me viktimën janë marrë në pyetje nga karabinierët dhe kanë dhënë versionin e tyre për atë që ndodhi. Forcat hetimore kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të zbuluar më shumë rreth incidentit dhe për të identifikuar autorët.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë edhe specialistët e hetimeve shkencore për të mbledhur prova materiale që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Top Channel