Policia e Tiranës ka finalizuar një tjetër operacion kundër shpërndarjes së drogës dhe armëmbajtjes pa leje.

Gjatë operacionit të koduar “Kombinimi”, u arrestua një 35-vjeçar, i cili mbante në banesë armë zjarri, municion luftarak dhe një sasi kokaine të ndarë në doza, gati për shitje. Ai akuzohet gjithashtu për dhunë ndaj një shtetasi, gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Njoftimi i Policise

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Kombinimi”.

Shpërndante lëndë narkotike kokainë dhe mbante armë zjarri dhe municion luftarak në banesë, vihet në pranga 35-vjeçari.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, rreth 135 gramë kokaine, të cilën dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen në doza dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje, pas një informacioni të siguruar në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Kombinimi”, në kuadër të të cilit vunë në pranga shtetasin:
-M. P., 35 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të banesës së tij shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë të cilën e kishte fshehur te depozita e ujit, municion luftarak dhe lëndë narkotike kokainë.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se pasi siguronte lëndë narkotike kokainë, e ndante në doza me qëllim shitjen e saj.

Gjithashtu, gjatë veprimeve procedurale, rezultoi se ky shtetas gjatë një konflikti për motive të dobëta, kishte goditur me qytën e pistoletës, shtetasin S. I, duke i shkaktuar dëmtime sipërfaqësore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel