
Avokatët e Luigi Mangione-s, të arrestuarit për vrasjen e drejtorit ekzekutiv të “UnitedHealthcare”, Brian Thompson, i kërkuan gjyqtarit ditën e sotme që t’u ndalojë prokurorëve federalë të kërkojnë dënimin me vdekje për Mangione-n.
Kërkesa bazohej në argumentin se autoritetet e paragjykuan çështjen e tij duke e shndërruar arrestimin në një spektakël të “filmit Marvel”.
Të sapoardhur nga një fitore ligjore që eliminoi akuzat për terrorizëm në çështjen shtetërore të vrasjes, avokatët e vrasësit tani po luftojnë që çështja e tij federale të rrëzohet, duke u mbështetur në deklaratën e Prokurores së Përgjithshme të SHBA-së Pam Bondi se dënimi me vdekje është i justifikuar për një “vrasje të paramenduar dhe me gjakftohtësi që tronditi Amerikën”.
Ekipi mbrojtës i Mangione-s, i udhëhequr nga ish-prokurorja e Manhattanit Karen Agnifilo, i kërkoi gjyqtares së distriktit amerikan Margaret Garnett, “të korrigjonte gabimet e bëra nga qeveria dhe të parandalonte që kjo çështje të vazhdonte si një ndjekje penale me dënim me vdekje“.
Ishte hera e parë që Departamenti i Drejtësisë tha se po ngrinte një padi për dënim me vdekje, pasi Presidenti Donald Trump u rikthye në detyrë më një premtim për të ringjallur ekzekutimet federale, të cilat paraardhësi i tij Biden i kishte pezulluar.
Avokatët e Mangiones argumentojnë se njoftimi tregoi se vendimi ishte “i bazuar në politikë, jo në meritë” dhe se komentet e saj njollosën procesin e jurisë së madhe që rezultoi në padinë e tij disa javë më vonë.
Prokurorët federalë kanë kohë deri më 31 tetor për t’u përgjigjur, ndërkohë që Mangione duhet të kthehet në gjykatë për çështjen federale më 5 dhjetor, disa ditë pas fillimit të seancave paraprake dëgjimore në çështjen e tij shtetërore edhe pse nuk është caktuar asnjë datë gjyqi për asnjërën nga këto raste.
Top Channel