
Shkollat dhe spitalet në komunat me shumicë serbe në Kosovë, vazhdojnë të funksionojnë me sistemin e Serbisë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti së fundmi ka bërë të ditur se synohet që të bëhet integrimi në një sistem të vetëm. Megjithatë, një gjë e tillë nuk është pritur mirë nga komuniteti serb. Miodrag Miliceviç, nga organizata joqeveritare “Aktiv” thotë se një unifikim i njëanshëm do të sillte pasoja në këto fusha.
“Komuniteti është i shqetësuar nëse ndodhë integrimi i sforcuar ose çfarëdo integrimi i imponuar i sistemit, mund të prodhojë shumë pasoja te stafi arsimor, mjekësor dhe te pacientët që do të mund të humbin marrjen e shërbimeve shëndetësor”, thotë Miliceviç.
Pagat, kontributet pensionale dhe licencimi i stafit mjekësor por edhe atij mësimor, sipas Miliceviç janë shqetësimet kryesore e që duhet të marrin përgjigje në një diskutim që duhet t’i paraprijë integrimit.
“Ka shumë pyetje që duhet të sqarohen por më të rëndësishmet janë tri, rreth pagave, kontributeve pensionale dhe taksave dhe padyshim edhe çështja se si do të operojnë, me çfarë licenca… Nëse hipotetikisht ndodhë ky integrim i shpejtë, llogaritet që shumë punëtorë nuk do të jenë të gatshëm të vazhdojnë punën në sistemin shëndetësor në Kosovë”, shprehet ai.
Komuniteti serb konsideron se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do t’i zgjidhte këto çështje, porse, Miliceviç konsideron se nuk ka vullnet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti për një gjë të tillë. Prandaj, po kërkohet nga bashkësia ndërkombëtarë që çështjen e integrimit të sistemit arsimor dhe shëndetësor të diskutohet në dialogun mes Kosovës e Serbisë.
“Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtarë të jenë të kujdesshëm kur vjen puna të sistemi shëndetësor dhe ai i arsimit dhe sikurse e kanë theksuar edhe Bashkimi Evropian dhe të tjerët që këto çështje duhet të diskutohen në kuadër të dialogut, me qëllimin për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme”, thotë Miliceviç.
Kundër integrimit të spitaleve dhe shkollave në sistemin e Kosovës ka dalë edhe Lista Serbe që thanë se arsimi dhe shëndetësia janë shtyllat e popullit serbë dhe se do mbesin të tilla.
Top Channel