
Gramoz Lima nga fshati Suk 2 i Fierit, prej 10 vitesh merret me punët e bujqësisë.
Në një sipërfaqe toke prej 5 dynymësh në serë, ai ka kultivuar dy kultura bujqësore, trangull dhe domate. Por këtë vit, fatkeqësisht nuk ka shitur asnjë kilogram trangull, përkundrazi i gjithë prodhimi në vend të tezgave të markatës ka shkuar drejt kanalit, dhe fajin për këtë nuk e kanë vetëm fermerët, por edhe Ministria e Bujqësisë.
“Pikat e grumbullimit këtë trangull nuk e duan, është pa lek, asnjë kilogram, na mbetën fëmijët pa bukë. Këta thonë është me helme, o shtet bëji analizat ndërto laboratore mos ndërto vetëm magazina, kioska, të gjitha lekët e AZHBR-së shkuan në kioska, jo tek ne. Nëse del me helme ky prodhim, shkoj unë në burg”, thotë fermeri.
“Nëse për trangullin nuk ka treg, nga ana tjetër çmimi që pikat e grumbullimit po blejnë domaten nuk mbulon as kostot e prodhimit.
“40 lekë kjo domate sot, është më cilësi doli e saktë më paguaj, nuk doli më dërgo në burg tek shokët”, shprehet Lima.
Nëse mendoni që ky prodhim do të shkojë në treg, e keni gabim, Gramozi priti mbi një javë që tregtarët të trokisnin në derën e tij për ta blerë këtë prodhim, por ndodhi e kundërta ata nuk erdhën, e si përfundim ky trangull do të shkojë në kanal, ushqim për bagëtitë.
Histori si kjo e Gramozit në këtë sezon bujqësor ka pafund, ato i gjen në Fier, Berat dhe Lushnjë. E gjitha kjo ndodhi pasi shtetet si Kroacia dhe Sllovenia bllokuan perimet dhe frutat e Shqipërisë sepse ato rezultuan të mbingarkura me pesticide. Sjellja e fermerëve të pandershëm dhe të pandërgjegjshëm, bëri që bujqësia e shqiptare të mos jetë ajo e eksporteve apo e krenarisë, por e bëri atë bujqësinë e perimeve të kalbura në rrugë.
Top Channel