
Më shumë se një mijë njerëz kaluan Kanalin e Anglisë të premten me qëllim të mbërrinin në bregdetin britanik, sipas Ministrisë së Brendshme.
1.072 persona lundruan me 13 varka në Kanal, sipas shifrave zyrtare, që tregojnë sfidën me të cilën po përballet qeveria e Keir Starmer ndërsa përpiqet të vërë nën kontroll krizën.
Që nga fillimi i vitit, 32,102 persona raportohet se kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar përmes La Manshit.
Ministrat shpresojnë që marrëveshja “një brenda, një jashtë” me Francën do të veprojë si një pengesë, duke u treguar emigrantëve se do të kthehen mbrapsht nëse përpiqen të kalojnë Kanalin.
Por shifra e kalimeve të një dite më parë tregon se politika deri më tani ka pasur pak ndikim tek emigrantët dhe trafikantët e qenieve njerëzve.
Sipas marrëveshjes me Francën, njerëzit që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla mund të ndalohen dhe të kthehen në Francë, në këmbim të një numri të barabartë njerëzish që kanë aplikuar për të ardhur në Britani përmes një rruge të sigurt dhe ligjore, të cilëve u lejohet të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Top Channel