Mediat paraguajane raportojnë për trafikun e drogës nga vëllezërit Çopja: Rënia e klanit të fuqishëm shqiptar me lidhje të forta në Amerikën e Jugut

20/09/2025 13:55

Mediat paraguajane raportojnë për shkatërrimin e një klani shqiptar me ndikim të madh në trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë u shkatërrua muajin e kaluar dhe arrestimin e 11 anëtarëve kryesorë në Shqipëri, Belgjikë dhe Republikën Dominikane.

Goditja kryesore u krye në gusht në Shqipëri, pas një hetimi nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila i kërkoi Gjykatës së Posaçme të lëshonte 16 urdhër-arreste dhe në bastisje të ndryshme në Elbasan dhe qytete të tjera të Shqipërisë, u arrestuan dhjetë anëtarë të klanit, midis tyre një nga udhëheqësit e saj, Ervis Çela dhe vëllai i tij Ardian Çela, shkruan revsta Cars&Caretas, të cilës i referohet Top Channel.

Ndërsa udhëheqësi kryesor i organizatës, Franc Çopja, u arrestua në vitin 2023 në Dubai dhe më pas u ekstradua në Belgjikë, ku po mbahet në paraburgim për vrasje dhe krime të tjera.

Më 3 shtator në Punta Cana u kap Soni Pepa, që luajti një rol kyç në organizimin e trafikimit të më shumë se 11 ton kokainë, e cila mbërriti në Antwerp gjatë javës së parë të nëntorit 2020. Pepa u ekstradua shpejt në Shqipëri, i akuzuar, ashtu si anëtarët e tjerë, për disa vepra penale të trafikimit të drogës, organizatë kriminale të organizuar dhe pastrim parash nga të ardhurat e një krimi ose aktiviteti kriminal.

Kapja e këtyre shqiptarëve zbuloi një nga strukturat kriminale më të fuqishme të Evropës të dedikuara për trafikun ndërkombëtar të kokainës, si dhe lidhjet e saj në Amerikën e Jugut, veçanërisht në Bolivi dhe Paraguai. Sipas prokurorëve, klani Çopja-Çela ndikoi drejtpërdrejt në çmimin e kokainës në tregjet evropiane, pasi ata kontrollonin zinxhirin e trafikimit nga fillimi deri në fund.

Mega-ngarkesat e kokainës u blenë direkt nga prodhuesit bolivianë nga Ervis Çela, i cili jetonte me vëllanë e tij, Ardianin, në Paraguai për të mbikëqyrur ruajtjen dhe përgatitjen e ngarkesave që dërgoheshin në Evropë, ku grupi nxirrte ngarkesën dhe merrej me shpërndarjen në portet evropiane dhe pastrimin e parave në Shqipëri, Bolivi dhe Paraguai. Kokaina ishte fshehur në mënyrë të sofistikuar në kuti sapuni dhe materiale ndërtimi të eksportuara ligjërisht. Banda e kamuflonte atë kryesisht në kanaçe boje, duke përdorur shenja të posaçme për blerësin: “Puma” ose “Lightning Eyes”.

Në dosjen hetimore prej 282 faqesh të SPAK-ut, emri i biznesmenit paraguaian Diego Benítez del si personi kryesor i besuar i shqiptarëve në atë vend për organizimin e dërgesave të kokainës në Evropë, ndërsa gjithashtu pastronte para nga fitimet e paligjshme në disa nga kompanitë e tij.

Top Channel