Izraeli instalon sistemin e ri mbrojtës me rreze lazer kundër raketave, “kap raketa, predha, avionë dhe dronë”

20/09/2025 13:33

Izraeli njoftoi se ka nisur instalimin e një sistemi të ri mbrojtës me rreze lazer kundër raketave, predhave, mortajave, avionëve dhe dronëve. Sistemi është mjaft efektiv dhe me një kosto shumë të ulët operative.

Sipas të dhënave të Ministrisë izraelite të Mbrojtjes Izraeli ka përfunduar me sukses ndërtimin e një arme mbrojtëse me rreze lazer. Provat e zhvilluara gjatë disa javësh treguan se sistemi mund të kapë me siguri raketa, predha mortajash, avionë dhe dronë në skenarë të ndryshëm veprimesh dhe operacionesh, thuhet në deklaratën e Ministrisë izraelite të Mbrojtjes.

Sistemet e para të mbrojtjes me rreze lazer pritet të integrohen në sistemin e mbrojtjes ajrore të Izraelit deri në fund të vitit.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se ky është një “moment historik” për aftësitë mbrojtëse të Izraelit.

“Rrezja e Hekurt” është një sistem mbrojtës ajror me rreze lazer, i cili komadohet nga toka dhe që falë teknikës precize të marrjes në shenjëstër dhe efikasitetit të lartë, mund të neutralizojë shpejt kërcënimet me një kosto shumë të ulët operative, shtoi ai.

Sipas të dhënave të SHBA-së sistemi i mbrojtjes ajrore me lazer është mjaft efektiv dhe mund të neutralizojë objektiva të tillë si dronët me shpenzime që shkojnë rreth katër dollarë për një operacion neutralizimi./ DW

Top Channel