
“Ajo që po dëshmojmë në Gaza është e tmerrshme”, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së: Nuk duhet t’i frikësohemi kërcënimeve të Izraelit
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha të premten se nuk duhet të frikësohen nga kërcënimet e qeverisë izraelite për t’u hakmarrë ndaj njohjes së një shteti palestinez ose politikave të tjera mbështetëse për palestinezët.
“Nuk duhet të frikësohemi nga rreziku i hakmarrjes, sepse pavarësisht se çfarë bëjmë, veprimet e Izraelit do të vazhdojnë”, tha zoti Guterres, duke iu referuar vendimeve të qeverisë së Benjamin Netanyahut në kohët e fundit që synojnë “shkatërrimin e plotë të Gazës” dhe promovimin e “aneksimit agresiv të Bregut Perëndimor”, territor palestinez i pushtuar nga ushtria izraelite që nga Lufta Shtatëditore në vitin 1967.
Në dritën e njohjes së shtetit të Palestinës, e cila është planifikuar të avancohet të hënën gjatë një sesioni në OKB nga Franca dhe vende të tjera, zyrtarët izraelitë e kanë kërcënuar hapur Parisin se do të ketë hakmarrje diplomatike, si dhe se aneksimi i Bregut Perëndimor do të vazhdojë.
Megjithatë, për Antonio Guterres, kjo nuk është gjë tjetër veçse një “pretekst” për Izraelin, politika e të cilit në territoret palestineze tregon se nuk ka ndërmend “t’u lejojë palestinezëve të kenë një shtet”.
“Mendoj se është e rëndësishme” që Izraeli “të ndihet gjithnjë e më i izoluar” në mënyrë që të bindet të “ndryshojë” politikën e tij, këmbënguli shefi i OKB-së.
Një mbështetës i vendosur i zgjidhjes me dy shtete, izraelite dhe palestineze, Sekretari i Përgjithshëm e përshkroi perspektivën e njohjeve të reja të shtetit të Palestinës si simbolikë “jashtëzakonisht të rëndësishme” “për popullin palestinez”.
“Cila është alternativa? Zgjidhja e një shteti në të cilin miliona palestinezë do të dëbohen ose do të vuajnë pushtimin, skllavërinë, diskriminimin, pa të drejta dhe pa tokën e tyre? Kjo është plotësisht e papranueshme në shekullin e 21-të”, tha ai.
Ai gjithashtu bëri thirrje edhe një herë për një armëpushim në Rripin e Gazës: “Ajo që po dëshmojmë në Gaza është e tmerrshme. Është niveli më i keq i vdekjes dhe shkatërrimit që kam parë që kur kam qenë Sekretar i Përgjithshëm, ndoshta në të gjithë jetën time.”
“Unë besoj fuqimisht se kjo është e patolerueshme nga një pikëpamje morale, politike dhe ligjore”, këmbënguli Antonio Guterres, duke shmangur megjithatë përdorimin e termit “gjenocid”, në mungesë të një vendimi nga drejtësia.
Top Channel