
Teori konspirative pa bazë mbi vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk kanë shpërthyer në rrjetet sociale gjatë javës pas të shtënave, me palët nga të dyja anët që shtyjnë një mori pretendimesh me një shpejtësi të rrallë, thonë ekspertët.
Sipas kompanisë së analizës së të dhënave PeakMetrics, e cila është jopartiake, ka pasur mbi 2 milionë postime unike në X (ish-Twitter) që përmendin teori konspirative për vrasjen e Kirk-ut. Ky është afërsisht dyfishi i volumit të postimeve pas atentatit të dështuar ndaj kandidatit të atëhershëm Donald Trump vitin e kaluar në Pensilvani.
Përmbytja e pretendimeve të paverifikuara dhe të çrregullta nga ndikues online, podkasterë dhe mashtrues është kthyer në diçka të zakonshme pas çdo ngjarjeje tronditëse ose masakre me armë.
Por këtë herë, pamjet grafike të vdekjes së Kirk-ut u përhapën menjëherë. Kishte edhe pasoja të dukshme politike: Kirk drejtonte një lëvizje rinore MAGA dhe ishte një figurë që ngjallte polemika tek shumë liberalë, madje edhe tek grupe më të djathta se ai. Për më tepër, shumë personalitete të internetit përfitojnë financiarisht nga përmbajtja nxitëse që synon të shkaktojë trazira.
“Është më e keqja që kam parë ndonjëherë,” tha Bret Schafer, studiues i lartë në Alliance for Securing Democracy, një institut jopartiak që monitoron dezinformimin. “Kam parë cikle të tilla që përsëriten herë pas here, por tani janë bërë më të rrezikshme. Ky është një rast ku të dyja palët janë përfshirë në sjellje të papërgjegjshme, në mos të dënueshme.”
Natën e të shtënave, para se të dihej kush ishte autori apo motivi i tij, apo nëse kishte bashkëpunëtorë, vetë Trump ia atribuoi atentatin “dhunës politike të së majtës radikale” dhe “organizatave që e financojnë dhe e mbështesin atë.”
Aleatët e Trump-it si Steve Bannon përhapën idenë se Kirk u vra si pjesë e një konspiracioni të gjerë kombëtar, edhe pse hetuesit thonë se besojnë që i dyshuari, Tyler Robinson, veproi i vetëm. Ndërkohë, analistë liberalë kanë pretenduar se Robinson ishte në të djathtën politike të Kirk-ut, pavarësisht provave se ai nuk i pëlqente qëndrimet konservatore të Kirk-ut.
Të tjerë, duke përdorur teza antisemitike, kanë pretenduar se spiunë izraelitë e vranë Kirk-un sepse ai po largohej nga mbështetja e tij e gjatë për Izraelin. Ndërkohë, teori të tjera jo-politike janë bërë virale, si ajo për një dron të dyshimtë mbi mitingun e Kirk-ut, apo për kamerat përreth që u hoqën më pas.
Këto teori po lulëzojnë në një klimë tashmë të tensionuar.
Një sondazh i Reuters/Ipsos pas vrasjes tregoi se 71% e amerikanëve mendojnë se shoqëria amerikane “është e thyer,” dhe 66% janë të shqetësuar për dhunë politike në komunitetin e tyre. Kompania e inteligjencës së kërcënimeve Memetica zbuloi se përmendjet për “luftë civile” dhe “luftë racore” u rritën ndjeshëm në platformat margjinale pas vrasjes së Kirk-ut, sipas të dhënave të rishikuara nga CNN.
“Gjithmonë do të ishte katalizator për instinktet më të këqija të njerëzve,” tha Mike Rothschild, autor që ka shkruar gjerësisht mbi teoritë e konspiracionit. “Qeniet njerëzore nuk janë krijuar të shohin pamje të afërta të vrasjes së dikujt. Kjo është menjëherë material për teoritë konspirative. Të jep ndjesinë se rregullat janë hequr.”
Disa liberalë fajësojnë të djathtën
Një nga teoritë më të çrregullta nga e majta është se Trump orkestroi vrasjen e Kirk-ut për të tërhequr vëmendjen e publikut nga skandali i Jeffrey Epstein, pasi po rritet presioni për publikimin e dokumenteve që mund ta lidhin më shumë Trump-in me abuzuesin seksual të fëmijëve.
Figurat e tjera liberale grumbulluan miliona shikime në X duke promovuar pretendime pa bazë mbi mospërputhje të supozuara në trajtimin e trupit të Kirk-ut.
Në ditët e ethshme pas arrestimit të Robinson-it, përdoruesit e internetit gërmuan në gjurmët e tij digjitale për të zbuluar prirjet politike. Një teori kryesore mes kritikëve të Trump-it ishte se Robinson ishte një “groyper” – një mbështetës i Nick Fuentes, nacionalistit të bardhë dhe mohuesit të Holokaustit, i cili prej vitesh e kishte sulmuar Kirk-un.
“Pashë shumë njerëz që dyshonin se [Robinson] e urrente Kirk-un sepse Kirk nuk ishte mjaftueshëm racist apo antisemit,” tha Rothschild. “Kjo tani duket jashtëzakonisht e pamundur.”
Një prej tyre ishte historiania Heather Cox Richardson, e cila shkruan një nga buletinet politike më të njohura në Substack, me 2.7 milionë abonentë. Në një postim të së dielës, ajo pretendoi se Robinson “nuk ishte dikush nga e majta,” duke cituar familjen e tij që anonte nga Republikanët, dhe “duket se kishte përqafuar ekstrem të djathtën, duke mos e pëlqyer Kirk-un sepse nuk ishte mjaftueshëm radikal.”
Në përgjigje të pyetjeve të CNN për këto pretendime, Richardson tha me mesazh të mërkurën: “E përfshiva atë fjali bazuar në atë që dinim në atë kohë,” duke shtuar: “Nuk jam e lidhur me asnjë teori për motivet e Robinson-it.”
Lidhja me “groyper”-ët ishte gjithmonë e pasigurt. Dhe prokurorët zbuluan në dosjet gjyqësore të së martës se nëna e Robinson-it i kishte thënë policisë që ai “filloi të anon më shumë nga e majta” vitin e fundit. Prokurorët shtuan gjithashtu se Robinson i kishte thënë partnerit të tij romantik, që është transgjinor, se ai e qëlloi Kirk-un sepse “kishte pasur mjaft nga urrejtja e tij.”
Disa aleatë të Trump-it shohin një ‘mbulim’ të së vërtetës
Menjëherë pas të shtënave, para se të dihej ndonjë fakt, ekspertët vunë re se ndikuesit e së djathtës po përmbytnin rrjetet sociale me deklarata se autori ishte Demokrat, ose transgjinor, ose kishte lidhje me Antifa-n, grupin e majtë antifashist.
Moderatori i emisioneve të natës, Jimmy Kimmel, foli gjithashtu për këtë dinamikë, duke thënë të hënën se aleatët e MAGA-s po “përpiqeshin me dëshpërim ta paraqesnin (Robinson-in) si çdo gjë tjetër përveçse një prej tyre.” Pas kësaj, zyrtarë të administratës së Trump-it kërcënuan se do t’u hiqnin licencat filialeve të ABC-së në shenjë hakmarrjeje, dhe rrjeti njoftoi të mërkurën se do ta pezullonte për një kohë të pacaktuar shfaqjen e Kimmel-it nga transmetimi.
Aleatja e Trump-it, Laura Loomer, sugjeroi se Robinson mund të ishte pjesë e një “qelize terroriste.” Figura të tjera të së djathtës pretenduan gjithashtu se Robinson ishte një “patsy” (kokë turku) dhe se qeveria federale po mbulonte një konspiracion të gjerë që përfshinte universitete dhe grupe liberale – edhe pse besnikët e Trump-it drejtojnë FBI-n dhe Departamentin e Drejtësisë.
“Nuk ka kuptim, por as nuk ka nevojë të ketë kuptim,” tha Rothschild. “Këta janë njerëz të dëshpëruar për të mbetur në qendër të bisedës. Ata duhet të nxjerrin këto opinione kontroverse për të shitur mallra, për të bërë abonime dhe për të mbajtur audiencën e tyre.”
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, pa dashje i dha fuqi këtyre pretendimeve të së djathtës për një mbulim të së vërtetës nga qeveria duke lëshuar informacione të pasakta mbi hetimin, përfshirë edhe një njoftim të parakohshëm se i dyshuari ishte kapur nga policia.
“FBI bëri shumë gabime,” tha Rothschild. “Kjo është një ndërlikim shtesë.”
Teori antisemitike fajësojnë Izraelin
Ekspertët thonë se teoria më e përhapur është ajo që Izraeli vrau Kirk-un sepse ai kishte filluar të zbusë mbështetjen e tij të gjatë për vendin, ndërkohë që lufta në Gaza po zvarritej.
Nuk ka asnjë provë publike që e lidh Izraelin me krimin dhe udhëheqësit izraelitë e kanë vajtuar publikisht Kirk-un, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, i cili e quajti teorinë e konspiracionit “të çmendur” dhe të përhapur nga njerëz që “urrejnë shtetin hebre.”
Sipas një raporti të siguruar nga CNN, PeakMetrics zbuloi se kjo ishte “teoria më e madhe” e lidhur me Kirk-un që qarkullonte në X, me mbi 1.3 milionë postime.
Mes atyre që e përhapin këtë teori janë teoricieni i konspiracioneve Alex Jones, ndikuesja e djathtë Candace Owens, si dhe disa gazetarë të pavarur të së majtës ekstreme.
Ata kanë amplifikuar pretendime nga burime të dyshimta se, disa javë para se të vritej, Kirk kishte shprehur frikë për jetën e tij dhe u kishte thënë të njohurve se ishte kërcënuar nga mbështetës të Izraelit, të pakënaqur me disa prej komenteve të tij të fundit. Personat e përfshirë në këtë “tentativë shantazhi” të supozuar kanë thënë se këto teori janë të rreme, antisemitike dhe shpifëse.
Mediat shtetërore iraniane janë “kapur fort” pas kësaj teorie dhe po e shtyjnë fuqishëm online, tha Schafer nga Alliance for Securing Democracy, e cila monitoron përpjekjet e qeverive të huaja për të ndikuar në politikën amerikane. (Grupi i tij u vu nën lupë nga republikanët e Kongresit për përpjekjet kundër dezinformimit rus pas zgjedhjeve të 2016-ës.)
“Irani nuk është origjina e kësaj teorie, por ata po e promovojnë atë,” tha Schafer. “Është shumë e ndërlikuar dhe nuk ka shumë kuptim, duke pasur parasysh se Kirk ishte shumë pro-Izrael. Por koherenca dhe logjika nuk janë kurrë parakusht për këtë lloj propagande.”
Top Channel