Komisioni i përbashkët për personat e zhdukur, kryenegociatori i Kosovës: Është arritur pajtim me Serbinë Në Mitrovicë të Veriut, para spitalit, punonjësit shëndetësor nga katër komunat veriore të Kosovës protestuan të premten.
Ata kundërshtuan një aksion të Policisë së Kosovës që u zhvillua mbrëmjen e së enjtes nën dyshimin për armë në hapësirat e Spitalit të Mitrovicës së Veriut dhe qendrën e mjekësisë atje.
Protestuesit mbanin në duar pankartat me kërkesat e tyre si “Duart larg spitalit”, “Evropë, mbroji të drejtat tona” dhe “Shëndetësia dhe arsimi janë të drejta themelore të njeriut”.
Ndërkohë para protestuesve foli, Zllatan Ellek, kryetari i Listës Serbe që është edhe drejtues i Spitalit të Mitrovicës së Veriut. Ai tha se do të kundërshtojnë integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Kosovës.
“Është koha të kalojmë nga fjalët në vepra, dhe të drejtat e të gjithëve janë të qarta, dhe nga këtu po dërgojmë një mesazh se kemi të drejtat tona dhe se nuk do të integrohemi në sistemin e Kosovës”
Ellek mes tjerash u ka bërë thirrje EULEX-it dhe KFOR-it t’i vendosin pjesëtarët e tyre para shkollave e spitaleve në veri të vendit.
Në Kosovë, në të gjitha komunat me shumicë serbe, shkollat dhe spitalet funskionojnë me sistemin e Serbisë.
Mbrëmjen e së enjten, përmes një video mesazhi, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti iu ka adresuar qytetarëve serbë, ku bëri të ditur se synohet inkorporimi në një sistem i shëndetësisë dhe arsimit.
“Sigurisht, dualizmi i sistemit shëndetësor dhe arsimor nuk është i qëndrueshëm. Është i nevojshëm inkorporimi i tyre dhe unifikimi. Këtë nuk dua ta bëj kundër jush apo pa ju. Gjatë mandatit tonë të ardhshëm, bashkë me të gjithë, përfshirë edhe kryetarët e ardhshëm të komunave, do të punojmë për inkorporimin e shëndetësisë dhe arsimit në një sistem të vetëm”.
Kundër integrimit të spitaleve dhe shkollave në sistemin e Kosovës ka dalë edhe Lista Serbe që thanë se arsimi dhe shëndetësia janë shtyllat e popullit serbë dhe se do mbesin të tilla.
Për mundësinë e integrimit të institucioneve serbe në sistemin e Kosovës, pati reaguar në fillim të shtatorit edhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, Anu Pratipatti. Ajo kishte thënë se të duhej të ndodhte një ditë, por vetëm në konsultim me komunitetin serb.
Top Channel