
Në kujtimet e saj të reja, Kamala Harris ndan momente të forta personale dhe politike, përfshirë një telefonatë tronditëse nga Joe Biden vetëm disa orë para debatit me Donald Trump.
Në librin e saj të shumëpritur “107 Days” (107 ditë), që do të publikohet javën e ardhshme dhe që është siguruar paraprakisht nga “The Guardian”, Kamala Harris hedh dritë mbi tensionet e pazbuluara më parë me presidentin Joe Biden gjatë fushatës presidenciale.
Episodet e përshkruara në libër hedhin dritë edhe mbi sfidat që ajo përjetoi jo vetëm si kandidate, por edhe si zëvendëspresidente në një periudhë të vështirë politike për administratën demokrate.
Një nga ngjarjet më të vështira sipas saj ndodhi në shtator, ndërsa Harris ndodhej në një dhomë hoteli në Filadelfia, duke u përgatitur për një debat vendimtar kundër Donald Trump. Aty, ajo mori një telefonatë të papritur nga presidenti Biden.
“Vëllai im ka folur me disa djem të fuqishëm në Filadelfia,” i tha Biden. “Ata nuk do të të mbështesin, sepse ke thënë gjëra të këqija për mua.”
Harris, e befasuar, shkruan se ndjeu “zemërim dhe zhgënjim”, ndërkohë që përpiqej të ruante përqendrimin para debatit. “Thjesht nuk kuptoja pse do të më telefononte tani, dhe do ta bënte gjithçka për veten e tij,” shkruan ajo.
Zemërimi i saj u shtua kur Biden u përpoq të relativizonte performancën e dobët që kishte pasur më herët në një debat me Trump. “Ai këmbëngulte se nuk ishte dëmtuar shumë në elektorat. Unë mezi po e duroja” rrëfen Harris.
Doug Emhoff, bashkëshorti i saj, e kuptoi menjëherë gjendjen emocionale të Harris. “Lëre të shkojë,” i tha ai, duke e nxitur të fokusohej te përballja me Trump dhe jo te politika e brendshme e ekipit demokrat.
Megjithëse gjatë mandatit të saj si zëvendëspresidente, Harris kishte shmangur publikisht çdo kritikë ndaj presidentit Biden, libri i saj zbulon për herë të parë shqetësime të sinqerta dhe momente të tensionuara mes tyre.
Pas vendimit të Gjykatës Supreme për të përmbysur Roe v.Wade në vitin 2022, Harris vëren se Biden pati “vështirësi të fliste për të drejtat riprodhuese në një mënyrë që i përgjigjej rëndësisë së momentit.”
Ajo pranon se kishte dallime të qarta mes aftësisë së Biden për të qeverisur dhe asaj për të bërë fushatë. “Zëri i tij nuk ishte më i fortë, ndalesat dhe përhumbja ishin më të shpeshta,” shkruan ajo.
Një moment tjetër i tensionuar përshkruhet më 4 korrik, kur Biden po përballej me thirrje të vazhdueshme për t’u tërhequr pas një performance të dobët në debat. Harris kujton se gjatë një takimi familjar në Shtëpinë e Bardhë, Jill Biden pyeti në mënyrë të drejtpërdrejtë bashkëshortin e saj: “A po na mbështesni?”
Më vonë ajo thotë se burri i saj Doug Emhoff shpërtheu duke thënë se kishte ndjesinë se Harris ishte shpërfillur për vite me radhë dhe se tani, vetëm për shkak të nevojës politike, ajo po vihej në qendër të vëmendjes.
“Të japin punë të pamundura, nuk të lavdërojnë asnjëherë, dhe tani të duan aty, në ballkon, për të dhënë besim. Dhe prapë, na pyesin nëse jemi besnikë?”
Në kapitujt e fundit të librit, Harris flet hapur për mungesën e mbështetjes së duhur nga ekipi i Bidenit. Ajo kujton një rast kur u kritikua për mbajtjen e një fjalimi shumë të suksesshëm, çka u perceptua si një kërcënim për presidentin. “Mendimi i tyre ishte cinik: Nëse ajo shkëlqen, ai zbehet.”
Pas tërheqjes së Biden nga gara më 21 korrik, e cila u pasua nga mbështetja e tij publike për Harris, ajo pranon se këshilltarët e fushatës e këshilluan të distancohej nga Biden.
“Njerëzit e urrejnë Joe Bidenin,” i kishte thënë David Plouffe, një prej këshilltarëve kryesorë. “Ishte e vështirë për mua ta dëgjoja këtë,” shkruan ajo.
Në muajt që pasuan, Harris u përball me një sërë sulmesh personale, përfshirë edhe pretendime raciste nga kampi republikan. Trump, në një deklaratë të bujshme, aludoi se Harris “rastësisht u bë e zezë” disa vjet më parë. Ajo reagoi me vendosmëri, duke refuzuar të bjerë në grackën e provokimeve.
“‘Sot Trump do që unë të tregoj racën time. Çfarë do të ndodhë më pas? Do të thotë se nuk jam grua dhe mos vallë do të duhet të tregoj v*ginën time?’” shkruan ajo me ironi dhe zemërim.
Top Channel