
Pas betimit të kabinetit të ri qeverisë sot në Presidencë, kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot në Ministrinë e Brendshme Albana Koçiu, e cila bëhet kështu e para grua në krye të këtij institucioni.
Gjatë fjalës së tij para administratës dhe drejtuesve të kësaj ministrie, Rama pati kritike për mënyrën sesi ky dikaster është drejtuar deri tani.
Ai la dhe një detyrë tjetër për ministren Koçiu dhe ministrin e shtetit për pushtetin vendor që lidhet me prefekturat, teksa tha se do të behet një reformë për të parë a duhen apo jo prefekturat, dhe nëse po si duhet të funksionojnë.
“Funksionimi i prefekturave. Jo rastësisht jam këtu edhe me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor. Dimensioni i pushtetit vendor në punët e brendshme, po të lexojmë legjislacionin është i gjerë, po të shohim realitetin është shumë i mangët.
Dhe prefekturat sot janë “Refugium Peccatorum”, institucione që e kanë humbur peshën, kanë humbur kuptimin. Na duhet një reformë për prefekturat të cilën natyrisht do ta bashkë udhëheqin qysh në konceptim ministrja e Brendshme me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor dhe na duhet sa më parë të nxjerrim konkluzionin, a na duhen prefekturat apo s’na duhen fare?
Dhe nëse na duhen prefekturat, çfarë forme duhet të kenë prefekturat. Si prefekturat duhet të bëhen një forcë e shtuar, një vlerë e shtuar në gjithë rrjetin e drejtimit dhe administrimit të punëve të brendshme. Dhe jo ca fole që shpërndajnë paga dhe impakti i të cilave në punët e brendshme është afër zeros”, tha Rama.
Top Channel