
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se kishte paraqitur një propozim “të drejtë dhe të balancuar” për fuqitë europiane mbi programin bërthamor të Teheranit për të parandaluar rivendosjen e sanksioneve të OKB-së ndaj Republikës Islamike.
“Irani paraqet një propozim krijues, të drejtë dhe të balancuar që adreson shqetësimet reale dhe është i dobishëm për të dyja palët”, shkroi Araghchi në X mbrëmë.
Ai shtoi se propozimi iu paraqit dje Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë, një grup vendesh të njohura si E3, si dhe Bashkimit Evropian.
“Zbatimi i kësaj ideje mund të bëhet shpejt dhe të lejojë që vijat e kuqe përkatëse të pajtohen për të parandaluar një krizë”, paralajmëroi ai, duke shtuar se “Irani nuk mund të jetë aktori i vetëm përgjegjës”.
Deklarata e ministrit iranian erdhi ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet, përveç ndonjë ngjarjeje të papritur, të japë dritën jeshile sot për të rivendosur sanksionet ndaj Teheranit. Sipas burimeve diplomatike, Irani nuk ka nëntë votat e nevojshme për të ruajtur status quo-në dhe për të parandaluar rivendosjen e sanksioneve deri në fund të muajit.
“Ajo që po bëjnë europianët është politikisht e anshme dhe e motivuar politikisht. Ata po bëjnë një gabim në disa nivele duke u përpjekur të keqpërdorin mekanizmin e përfshirë në Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA)”, u tha sot gazetarëve në Gjenevë zëvendësministri i jashtëm iranian Saeed Hatibzadeh. Ai tha se të gjitha opsionet ishin në tryezë nëse diplomacia dështonte.
“Nëse europianët ndjekin këtë rrugë, ata po maksimizojnë paparashikueshmërinë dhe janë përgjegjës për çdo rrezik të mundshëm në të ardhmen”, tha ai. Vendet e E3 janë ndër ato që nënshkruan marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015 (JCPOA) që vendosi kufizime në aktivitetet bërthamore iraniane në këmbim të heqjes së sanksioneve ndaj Teheranit.
Marrëveshja kishte për qëllim të parandalonte Iranin nga blerja e armëve bërthamore, një qëllim që fuqitë perëndimore dhe armiku i saj i betuar Izraeli kanë dyshuar prej kohësh se ai po e ndjek, diçka që Teherani e mohon.
Top Channel