Pasaporta me vulë false dhe kontrabandë cigaresh, disa arrestuar dhe proceduar në Korçë

19/09/2025 14:24

Disa persona janë arrestuar këtë të premte në Korçë.

Veprat penale që janë kryer janë pasaporta me vulë false dhe kontrabandë stekash me cigare.

Njoftimi:

PKK Kapshticë/Kontrolleve intensive nga shërbimet e Policisë Kufitare, për parandalimin e lëvizjes në kundërshtim me ligjin, në kufi.

Si rezultat i kontrolleve, u kapën:
-1 shtetas që tentoi të kalonte kufirin ndërkohë që ishte në kërkim për prodhim dhe shitje të narkotikëve;
-1 shtetas që tentoi të kalonte kufirin, me pasaportë me vulë false;
-1 shtetase që tentoi të kontrabandonte dhjetëra steka me cigare.

Në vijim të punës intensive të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare dhe kapjen e shtetasve në kërkim, janë kapur në PKK Kapshticë, 3 shtetas që po tentonin të lëviznin në kundërshtim me ligjin. Në vijim të veprimeve:

-u kap në dalje të RSh-së dhe u vu në pranga shtetasi A. T., 37 vjeç, banues në Peqin, i cili ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Elbasanit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Veprimet e tjera procedurale për këtë shtetas do të kryen nga DVP Elbasan;

-u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
1-M. K., 36 vjeç, banues në Librazhd, pasi në dalje të RSh-së, gjatë verifikimit të dokumentacionit, në pasaportën e tij u konstatua një vulë e dyshuar e falsifikuar;
2-F. D., 47 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi në hyrje të RSh-së, gjatë kontrollit në çantën e saj janë gjetur dhe sekuestruar dhjetëra steka me cigare, të cilat ajo nuk i kishte deklaruar.

Pasaporta me vulë të dyshuar të falsifikuar dhe stekat me cigare u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel