Pas Polonisë, avionët rusë shkelin hapësirën ajrore të Estonisë, qeveria: Qëndruan për 12 minuta

19/09/2025 16:30

Hapësira ajrore e Estonisë, anëtare e NATO-s, u shkel nga tre avionë ushtarakë rusë të premten, tha qeveria e saj, mes një atmosfere gjithnjë e më të tensionuar në krahun lindor të aleancës.

Incidenti vjen pak më shumë se një javë pasi më shumë se 20 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake natën e 9-10 shtatorit, duke bërë që avionët e NATO-s të rrëzonin disa prej tyre dhe zyrtarët perëndimorë të thoshin se Rusia po testonte gatishmërinë dhe vendosmërinë e aleancës.

Talini tha të premten se tre avionët luftarakë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë pa leje dhe qëndruan atje për gjithsej 12 minuta.

“Rusia ka shkelur hapësirën ajrore estoneze katër herë këtë vit, gjë që është e papranueshme në vetvete, por shkelja e sotme, gjatë së cilës tre avionë luftarakë hynë në hapësirën tonë ajrore, është e paprecedentë. Testimi gjithnjë e në rritje i kufijve dhe agresiviteti i Rusisë duhet të marrin përgjigje duke forcuar me shpejtësi presionin politik dhe ekonomik”,tha Ministri i Jashtëm Margus Tsahkna.

Incidenti vjen vetëm 10 ditë pasi dronët rusë hynë në hapësirën ajrore polake. Javën e kaluar, një tjetër dron rus kaloi në hapësirën ajrore rumune dhe fluturoi për një kohë pavarësisht se avionët luftarakë u ngritën në ajër për ta kapur atë.

Top Channel