Palestinezët rrëfejnë sfidat e shpërnguljes në Gaza: Po shkojmë nga njëri ferr në tjetrin

19/09/2025 19:15

Ndërsa Izraeli vazhdon operacionin e tij për të pushtuar plotësisht qytetin e Gazës, palestinezët e zhvendosur në “zonën humanitare” në Gazën jugore thonë se kushtet po përkeqësohen, ndërsa zonat mbipopullohen.

“Po jetojmë në kushte kaq të vështira saqë as një kafshë nuk mund të mbijetojë. Mendonim se këto zona humanitare për të cilat folën do të kishin ujë dhe tenda por përfunduam duke jetuar në rrugë”, tregon një zonjë palestineze.

Edhe pse ushtria Izraelite u ka premtuar banorëve kushte më të mira, mbijetesa është bërë e pamundur. Banorët të cilët ecin me orë të tëra ose paguajnë qindra dollarë për transportin thonë se është thuajse e pamundur të gjejnë ushqim dhe strehim.

“Të gjithë po kërkojnë një vend të sigurt. Duhet të shihni se si tendat janë ngjitur njëra pranë tjetrës. Nuk ka hapësirë”, u shpreh ajo.

“Mund të dëgjosh çdo fjalë të fqinjit tënd duke folur me gruan dhe fëmijët e tij. Kur dikush shkon në tualet. Ku janë sistemet e kanalizimeve? Ne kërkojmë ujë dhe gjithçka është kot. Betohem në Zot, kjo është vuajtje e vërtetë”, thotë nëna e dy fëmijëve. 

Nga ana tjetër, zëdhënësja e zyrës humanitare të OKB-së, Olga Cherevko është shprehur se situata po përkeqësohet çdo ditë.

“Zona humanitare është plot dhe njerëzit që vijnë nga veriu janë ulur në anët e rrugëve duke mos ditur se ku të shkojnë. Njerëzit që kishin streha, janë lodhur ose nuk kanë mundur t’i sjellin sepse transporti kushton shumë para dhe tendat janë jashtëzakonisht të rënda për t’u mbajtur gjatë gjithë asaj distance”, tha ajo.

Top Channel