Melania Trump “sfidon” me zgjedhjet e saj në modë, mesazhet e fshehura gjatë vizitës shtetërore

19/09/2025 09:08

Gjatë një vizite shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, Melania Trump ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe publikut jo vetëm me paraqitjet e saj të rralla, por sidomos me veshjet e zgjedhura me shumë kujdes.

Në vetëm 48 orë, ajo është shfaqur me pesë veshje të ndryshme, secila me një mesazh të qartë, duke treguar se çdo detaj ishte i menduar me kujdes dhe jo rastësor.

Që nga momenti që u caktua vizita shtetërore, Melania Trump dhe stilisti i saj i besuar, Hervé Pierre, kanë përgatitur me kujdes çdo paraqitje. Ndryshe nga stili më i përmbajtur i Princeshës së Uellsit (Kate Middleton), Melania ka ndjekur një qasje më të lirë dhe personale, duke zgjedhur veshje të forta dhe ndonjëherë befasuese.

Në ardhje, ajo mbërriti me një pallto të gjatë nga marka britanike Burberry, një zgjedhje që u duk si një shenjë respekti për vendin pritës, por me një stil të veçantë dhe ndryshe nga zakonisht.

Më pas, në një takim në Kështjellën Windsor, ajo u shfaq me një kostum të stilit të vjetër Dior, i cili i përshtatej kohës me mot të ftohtë dhe gri. Ajo kishte vendosur edhe një kapelë që i mbulonte pjesën më të madhe të fytyrës, ndryshe nga Kate dhe Camilla, të cilat kishin kapela që i nxirrnin në pah fytyrat.

Kjo zgjedhje u komentua gjerësisht si një formë mbrojtjeje dhe distancimi nga kamerat dhe publiku.

Fustani që ngriti debatet në darkën shtetërore

Veshja që tërhoqi më shumë vëmendje ishte fustani i verdhë me supe të zbuluara, që Melania veshi në darkën shtetërore në Kështjellën Windsor. Fustani ishte dizajnuar nga Wes Gordon për Carolina Herrera, një zgjedhje që doli jashtë rregullave të zakonshme të veshjes zyrtare në Britani.

Pa stoli, pa tiarë, dhe me ngjyra të guximshme, Melania sfidoi pritshmëritë dhe u komentua gjerësisht si “jashtë protokollit” nga mediat britanike të modës.

Edhe në fund të vizitës, gjatë një aktiviteti me Mbretëreshën Camilla dhe Princeshën e Uellsit, Melania zgjodhi një pamje më sportive dhe të thjeshtë, me pantallona treçerekëshe dhe balerina të shtrenjta. Disa komentues menduan se ajo po përpiqej të përgjigjej ndaj kritikave për zgjedhjet e saj të mëparshme, por njohësit e stilit të saj thanë se çdo veshje ishte planifikuar muaj më parë.

Sipas ekspertëve të modës, Melania nuk ndjek rregullat tradicionale të paraqitjeve shtetërore. Ajo zgjedh të dërgojë mesazhe përmes veshjes, duke treguar qartë se nuk ndikohet nga protokolli, mediat apo pritshmëritë publike.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel