
Ministri në detyrë i Financave të Kosovës, Hekuran Murati, tha përpara gazetarëve në Prishtinë se për sa i takon procesit gjyqësor në Hagë kundër krerëve të UCK-së, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur përgjatë gjithë kohës të njëjtin qëndrim të qartë.
“Ne besojmë në pafajësinë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e kemi thënë se Gjykata Speciale është e padrejtë”, ishte mesazhi i tij.
“Sa i përket çështja e procesit në Hagë, besoj që Lëvizja Vetëvendosje ka qenë konsistente gjatë gjithë kohës, sa i përket Gjykatës Speciale. Ne e kemi kundërshtuar që në fillim një gjykatë që gjykon mono etnikisht, pra vetëm një etni. Ne kemi qenë kundër që të bëhet në proces i tillë, kjo është dëshmuar edhe gjatë procesit të votimit të asaj kohe, pra kemi kundërshtuar e refuzuar. Ne shpresojmë, besojmë dhe urojmë në pafajësi, pra që Gjykata të nxjerrë verdiktin e pafajësisë për të gjithë ata që po gjykohen atje dhe të kthehen këtu, pastaj janë çështje të tjera ato se çfarë ka ndodhur gjatë procesit të qeverisjeve… Sa i përket Gjykatës Speciale si të tillë, ne qysh atëherë e kemi thënë të njëjtin qëndrim që ka qenë dhe është gjykatë e padrejtë dhe ne besojmë në pafajësinë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shprehet Hekuran Murati, ministër i Financave-Kosovë.
Në fillim të shtatorit, sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku pati shprehur hapur pakënaqësinë me mënyrën se si institucionet e Kosovës janë duke trajtuar zhvillimet në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. “Heshtja e institucioneve të Kosovës është shurdhuese”, u shpreh ajo. “Liderët e UÇK-së nuk mbrohen me fjalime boshe apo me deklarata populiste. Ata mbrohen me veprime konkrete dhe institucionale. Fatkeqësisht, luftëtarët tanë janë braktisur nga institucionet. Ministria e Jashtme dhe Presidenca, në rrethana të tilla, do të duhej ta kishin këtë çështje prioritet kombëtar”, theksoi Citaku.
Top Channel