Qytetarët që kishin sot çështje penale a civile në Gjykatën e Durrësit janë përballur me një situatë të papritur.

55 seancat gjyqësore, penale dhe civile, të ditës së sotme në Gjykatën e Durrësit nuk janë zhvilluar pasi gjyqtarë dhe prokurorë po marrin pjesë në tryezën konsultative të organizuar nga Ministria e Drejtësisë për draftin e ri të Kodit Penal. Mes seancave të pazhvilluara sot është dhe gjyqi për Arbër Paplekaj, i dënuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, që ka kërkuar lirim me kusht.

Kjo shtyrje, në afate ende të pacaktuara, për dhjetëra procese gjyqësore sjell vonesa dhe zvarritje për palët. Gjithsesi kjo situatë nuk prek vetëm çështjet e natyrës urgjente, që janë masat e sigurisë dhe seancat për UMM, të cilat janë zhvilluar normalisht.

Tryeza, e dyta me radhë, ka mbledhur në Durrës magjistratë nga gjykatat dhe prokuroritë e Durrësit dhe Fierit, si dhe përfaqësues të profesioneve të lira ligjore, si avokatë, noterë dhe përmbarues gjyqësorë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ky takim synon të krijojë një hapësirë të posaçme për informim dhe shkëmbim mendimesh mbi draftin e ri penal, i cili ka ngjallur debat, teksa vlerësohet si një hap i rëndësishëm në vijim të reformës së drejtësisë në vendin tonë.

Top Channel