
Autoriteti i Mediave Audiovizive ka pritur dhe organizuar Forumin e 12-të të Rrjetit të Rregullatorëve të vendeve të Detit të Zi, BRAF.
Të zhvilluar në një periudhë 2 ditore, përfaqësues nga 9 vende anëtare të BRAF diskutuan një nga problematikat kryesore që paraqet në këto kohë zhvillimi teknologjik, “Gjuha e Urrejtjes në transmetimet audiovizive dhe platformat online”.
Pjesë e forumit ishte dhe përfaqësuesja e lartë e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, BSEC, zv.sekretarja e parë Amb Merve Safa Kavakcı.
“Bashkëpunimi me BE-në dhe projekti “Blueing the Black Sea” synojnë të nxisin zhvillimin, inovacionin mjedisor dhe qëndrueshmërinë rajonale”, u shpreh zv.Ssekretarja.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi u ndalë në këtë forum në rëndësinë e luftës kundër Gjuhës së Urrejtjes, në të gjitha format e shfaqjes së saj, si edhe rëndësinë që kanë forume të tilla për shkëmbimin e eksperiencave më të mira mes vendeve.
“Sfidat me të cilat përballet ky sektor janë globale, pavarësisht përvijimeve lokale, ka thënë ajo. Ndaj e gjykoj shumë të rëndësishëm bashkëpunimin, shkëmbimin e eksperiencave, si dhe ndërveprimin e përhershëm dhe të vazhdueshëm mes rregullatorëve. Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në rregullimin e tregut mediatik audioviziv, dhe ndërkohë që ne vazhdojmë të integrojmë median audiovizive digjitale në sistemet tona rregullatore, arritja e ekuilibrit të duhur midis Lirisë së Shprehjes dhe mbrojtjes nga fenomene si Gjuha e Urrejtjes mbetet ende një sfidë”, tha kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.
Kryetarja Krasniqi bëri të ditur në këtë forum se përveç ndryshimeve ligjore të kryera në Shqipëri, po punohet për transpozimin e akteve të tjera të rëndësishme europiane, siç janë Akti i Lirisë së Medias, EMFA, apo Akti i Shërbimeve Digjitale, DSA.
Trajtimi i rasteve konkrete, eksperiencat e secilit prej vendeve pjesëmarrëse, për zgjidhjet ligjore si dhe edukimi i publikut ishin dhe pikat të cilat diskutuan vendet pjesëmarrëse si Azerbajxhani, Turqia, Greqia, Armenia Bulgari e Serbia.
Top Channel