
Fiks Fare ka ndjekur për disa muaj me radhë gërryerjet e lumit Mat, duke filluar nga Rubiku, Skuraj, Ura e Zogut për të përfunduar në Milot dhe në urën e superstradës.
Në të gjithë këtë gjatësi, janë pirgje të mëdha me inerte. Kamera e Fiksit udhëtoi disa muaj më parë në atë zonë, duke filmuar eskavatorë që punonin shumë afër urës.
Pamjet e transmetuara nga Fiksi tregojnë shtratin e lumit i cili më shumë ngjason me një kantier të madh ndërtimi, sesa një lumë. Gërryerje kishte në një gjatësi të madhe, teksa firmat apo individët, punonin shumë afër monumenteve të kulturës dhe veprave të artit, në një distancë nga 30 deri në 50 metra.
Ndërkohë, Fiksi filmoi edhe gërryerje në afërsi të urës me harqe të Matit, Ura e Zogut. Eskavatori punon sërish në afërsi të kësaj ure, Monument Kulture e shkatërruar vite më parë. Mjetet marrin zhavorr në mes të lumit.
Më skandalozja ishte që ekskavatorët dhe mjetet e rënda merrnin inerte edhe nga ura e Trenit, që lidhte qytezën e Milotit me Lezhën, urë e mbyllur në verën e vitit 2025. Fiksi filmoi para kësaj date mjete të shumta që punonin shumë afër urës, duke gërmuar dhe marrë tonelata të mëdha me inerte. Punimet ishin në një distancë shumë të afërt me urën, rreth 30 metra.
Krahas dëmeve mjedisore, gërryerjet po shkaktojnë edhe dëme të konsiderueshme në buxhetin e shtetit. Grupi i Fiks Fare shkoi në afërsi të urës në fshatin Skuraj të Kurbinit. Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë ka hapur një tender me vlerë 92 milionë lekë për vendosjen e një prite lumore, pasi gërryerjet po “hanë tokat” bujqësore. Janë bërë studime dhe analiza, ku është faktuar se gjithçka ka ndodhur si pasojë e gërryerjeve dhe marrjes së inerteve.
Fiksi shkoi edhe në afërsi të Urës së Vjetër në Skuraj, e prishur vite më parë. Nga një vëzhgim rezulton se shtrati i lumit është thelluar me rreth 2 metra. Kanë dalë pilotat dhe rrënjët e urës. E njëjta situatë edhe me urën në hyrje të qytetit të Rubikut. Këmbët e urës kanë dalë në sipërfaqe.
Ndërkohë gërryerjet e kanë anuar edhe urën e Zogut, një monument kulture. Ura rrezikon të shembet. Është bërë një tender me vlerë rreth 50 milionë lekë për t’a rehabilituar dhe restauruar. Është vendosur një pjesë metalike, por punimet janë lënë në mes. Fiksi shkoi në fillim të muajit korrik 2025 te Uura e Trenit, në afërsi të Milotit. Këmbët e urës kishin dalë sërish si pasojë e gërryerjeve.
Pas këtyre problematikave, emisioni investigativ i dërgoi një kërkesë për informacion Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore. Kjo agjenci ktheu përgjigje se janë disa leje që janë aktive në atë zonë, si pasojë e ndërtimit të disa veprave koncesionare dhe me rëndësi.
Ndërkohë, Fiksi ka mësuar se janë bërë vazhdimisht studime dhe analiza ku rezulton se krahas firmave me leje, në atë zonë operojnë edhe ato pa leje. Punimet pa leje janë ato në afërsi të veprave të artit dhe monumenteve të kulturës. Por, të gjitha punimet si ato me leje dhe ato pa leje kanë shkaktuar dëme.
Fiksi shkoi edhe te Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Lezhë. Punonjësit thonë se kanë bërë disa investime, dhe se këto investime kanë ardhur si pasojë e rrëshqitjes si rasti i Skurajt. Sipas tyre, banorët kanë kërkuar që të ndërhyhet dhe janë hapur tenderët. Punonjësit pohojnë se shkarjet kanë ardhur si pasojë e gërryerjeve.
Në përgjigje, Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Lezhë thotë se tenderi për mbrotjjen nga gërryerjet në Skuraj erdhi pas kërkesës së vazhdueshme të banorëve të zonës. Më pas Prefektura, AMBU dhe disa institucione hartuan projektet për mbrojtjen nga gërryerjet.
Sipas saj, problematikat në këtë zonë kanë ardhur si pasojë e gërryrjeve të tokave bujqësore nga vërshimet e lumit Mat si dhe përbërjes gjeologjike të kësaj zone, duke dëmtuar një sipëfaqe të konsiderueshme toke.Vite më parë janë bërë edhe mbrojtje të tjera në të dy krahët e rrjedhës së lumit në segmente të ndryshme midis urës së autostradës dhe urës së Zogut.
Fiks Fare ka mësuar se Ura e Trenit që lidh Milotin me Lezhës (rruga e vjetër) është mbyllur në datë 24 korrik 2025 nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Shkak është bërë dalja në shesh e këmbëve të urës, piërisht ato të filmuara nga emisioni Fiks Fare në vijimësi.
Pas kësaj mase mbylljeje, nga data 24 korrik deri në fund të muajit gusht, kishte një trafik të shtuar në rrugët e tjera. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tender me vlerë 108 milionë lekë (rreth 1.1 milionë euro) për ndërhyrje emergjente për mbrojtjen e këmbëve të urës.
Top Channel