
Për të gjashtën herë, Shtetet e Bashkuara rrëzuan me veton e tyre një draft-rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila kërkonte armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm në Rripin e Gazës, ndërsa nga Izraeli pretendohej heqja e të gjitha kufizimeve për dërgimin e ndihmave në enklavën gjysmë të shkatërruar palestineze.
E dërguara e SHBA-së në OKB, Morgan Ortagus, tha se teksti nuk ishte i mjaftueshëm në dënimin e Hamasit dhe nuk e njihte të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.
“Shtetet e Bashkuara e hedhin poshtë këtë rezolutë të papranueshme. Hamasi nuk ka më kohë, ai duhet të lirojë çdo peng tani dhe të dorëzohet menjëherë. SHBA-ja do të vazhdojë punën me partnerët për t’i dhënë fund këtij konflikti të tmerrshëm”, shprehet Morgan Ortagus, e dërguar e SHBA-së në OKB.
Teksti, i hartuar nga 10 anëtarët e zgjedhur të këshillit me 15 vende, kërkonte mes të tjerash lirimin e menjëhershëm, me dinjitet dhe pa kushte të të gjitha pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe grupe të tjera në Gazë. Hamasi vetë sakaq thotë se pengjet e mbetura në enklavë janë aktualisht të shpërndara nëpër lagjet e qytetit të Gazës dhe sipas tij, zgjerimi i operacionit ushtarak izraelit atje do të thotë se asnjëri prej tyre nuk do të kthehet më në shtëpi.
Ambasadorja e Danimarkës në OKB, Christina Markus Lassen, përmendi zinë e bukës në Gazë. Ndërkohë, thellimi i fushatës ushtarake izraelite atje vetëm sa e shton vuajtje e civilëve, nënvizoi ajo, duke i mëshuar idesë se pikërisht pasojë e kësaj është siç tha ambasadorja, “kjo gjendje katastrofike, ky dështim njerëzor dhe humanitar, që na detyroi të veprojmë sot”. Qyteti i Gazës dhe zonat përreth po vuajnë zyrtarisht nga uria, e cila me gjasë do të përhapet, sipas një vëzhguesi botëror të urisë.
Shtetet e Bashkuara tradicionalisht e mbrojnë aleatin e tyre, Izraelin, në Kombet e Bashkuara. Por, në një veprim të rrallë javën e kaluar, ato mbështetën një deklaratë të Këshillit të Sigurimit që dënonte sulmet e fundit në Katar, megjithëse teksti nuk përmendi se Izraeli ishte përgjegjës.
Top Channel