Arrestohen dy punonjës ambulance në Angli, dyshohen për vdekjen e gjashtë pacientëve në Wiltshire

19/09/2025 20:16

Dy punonjës të shërbimit të ambulancës në Angli janë arrestuar si pjesë e një hetimi madhor lidhur me vdekjen e gjashtë pacientëve në qarkun Wiltshire, kanë bërë të ditur autoritetet policore britanike.

Një burrë rreth të tridhjetave nga Wiltshire u arrestua nën dyshimet për gjashtë vepra penale të vrasjes nga neglizhenca dhe katër akuza për keqtrajtim apo neglizhencë të qëllimshme nga një punonjës kujdesi. Po ashtu, një grua 59-vjeçare u arrestua. Të dy janë liruar me kusht, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Sipas Detektivit Phil Walker nga ekipi i hetimeve të krimeve të rënda në Policinë e Wiltshire, hetimi ka nisur që në vitin 2023, pas një denoncimi fillestar, dhe ka përfshirë analiza të hollësishme për zbardhjen e fakteve.

Fokusi ynë kryesor është mbështetja e familjeve dhe të afërmve të viktimave. I bëjmë thirrje mediave që të respektojnë privatësinë e tyre në këtë moment të vështirë“, deklaroi DCI Walker.

Të dy të arrestuarit kanë qenë të punësuar pranë South Western Ambulance Service NHS Foundation Trust, institucioni që ofron shërbime emergjente në rajonin jugperëndimor të Anglisë.

Një zëdhënës i këtij institucioni tha: “Sapo dolën në pah shqetësimet, ne nisëm menjëherë një hetim të brendshëm, i cili çoi në referimin e rastit tek policia. Dy punonjësit u pezulluan menjëherë nga detyra dhe nuk kanë më kontakte me pacientë”.

Hetimet për këtë çështje të rëndë pritet të vijojnë në javët dhe muajt në vijim.

Top Channel