Priscilla Presley kujton vdekjen e vajzës së saj: Ishte dita e dytë më e trishtueshme e jetës sime pas humbjes së Elvisit

18/09/2025 09:46

Priscilla Presley ka përshkruar natën e fundit që kaloi me vajzën e saj, Lisa Marie, e cila ndërroi jetë në moshën 54-vjeçare në vitin 2023, duke thënë se vdekja e saj ishte ngjarja e dytë më e trishtueshme në jetën e saj, pas humbjes së Elvisit.

Të dyja morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Golden Globes në janar 2023, për të mbështetur filmin Elvis të Baz Luhrmann dhe yllin e tij, Austin Butler, i cili në fund fitoi çmimin për Aktorin më të Mirë në një Film Dramatik.

Pas ceremonisë, ato planifikuan të pinin diçka së bashku, por ndërsa po shkonin drejt makinave, Lisa Marie i tha nënës së saj se i dhembte barku dhe donte të shkonte në shtëpi.

“Unë thashë, ‘Sigurisht. Shko në shtëpi dhe kujdesu për veten’”, kujtoi Priscilla Presley në një intervistë me PEOPLE. “E pyeta nëse ishte mirë. Nuk e dinim sa keq ishte. Ishte si një rrufe në qiell të hapur, mbetëm pa fjalë.”

Dy ditë më vonë, më 12 janar 2023, Lisa Marie vdiq nga një bllokim i zorrëve, një ndërlikim i një operacioni të mëparshëm bariatrik.

“Ishte dita e dytë më e trishtueshme e jetës sime, pas humbjes së Elvisit”, tha ajo për ish-burrin e saj. “Më duhej shumë kohë për të pranuar që Lisa kishte vdekur.”

Në librin e saj të ri, “Softly, As I Leave You: Life after Elvis”, i cili do të dalë më 23 shtator, Presley përshkruan se si nxitoi për në spital kur u informua se vajza e saj ishte gjetur pa ndjenja në shtëpi nga ish-burri i saj, Danny Keough, me të cilin kishte dy fëmijë.

“Që nga momenti që hyra në dhomë, e dija që Lisa kishte vdekur”, shkruan Priscilla. “Shpirti i saj, i cili kishte qenë gjithmonë kaq i gjallë, nuk ishte aty.”

Priscilla thotë se familja qëndroi në spital gjithë ditën.

“Lisa praktikisht nuk merrte frymë”, tha ajo. “Ne qëndruam atje për orë të tëra, duke shpresuar dhe duke u lutur, derisa erdhi mjeku dhe tha: ‘Priscilla, më vjen shumë keq, ajo ka ndërruar jetë’. Nuk mund ta besonim — nuk donim ta besonim. Ishte e vështirë për të gjithë ne dhe është ende.”

Në librin e saj, ajo zbulon se mori vendimin për ta hequr nga aparatet mbështetëse në jetë.
“Nuk kishte asnjë garanci se zemra e saj do të vazhdonte të rrihte”, vëren ajo. “E pyeta mjekun: ‘Çfarë lloj jete do të ketë nëse e mbajmë në makinë?’ Ai më shikoi me dhembshuri dhe tundi kokën. ‘Asnjë cilësi jete.’”

Në një moment tjetër ajo rrëfen: “Mendova për vajzën time, vajzën time të egër, rebele dhe pasionante, që do të qëndronte kështu për gjithë jetën. Thashë atë që kisha për të thënë. ‘Hiqeni nga aparati, doktor.’ Zëri im mezi s’i kalonte një pëshpëritjeje.”

Top Channel