Miratimi i programit qeverisë, kreu i BDI uron Edi Ramën: Ne na ke përkrah, në mbështetje të Shqipërisë europiane

18/09/2025 13:24

Kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti ka uruar kryeministrin Edi Rama për miratimin e programit qeverisës dhe për rizgjedhjen në krye të qeverisë.

Përmes një reagimi në Facebook, Ahmeti i drejtohet kryeministrit duke thënë ‘Ne na ke përkrah, në mbështetje të Shqipërisë europiaane’.

I nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, i dashur Edi

Të uroj si vëllau vëllaun për rizgjedhjen në krye të Qeverisë shqiptare me uratat më të sinqerta për suksese në zbatimin e programit qeverisës.

Ne na ke përkrah, në mbështetje të Shqipërisë europiane dhe të ecjes pa asnjë ndalesë, me hapa të sigurt dhe të shpejtë, drejt integrimit të plotë europian.

Sot, nuk ka akt më patriotik kombëtar se sa Shqipëria europiane dhe ky rrugëtim duhet të mbështetet nga të gjithë.

Më 19 korrik të vitit 2022, Shkupi dhe Tirana i filluan bashkë negociatat në Bruksel, ndërsa sot , Shqipëria ka hapur gati se të gjitha kapitujt negociues, ndërsa Maqedonia e Veriut e ka humbur rrugën drejt kryeqendrës europiane.

Ngecja e Maqedonisë së veriut në rrugëtimin europian dhe rritja e ndikimeve serbo-ruse në vend paraqet shqetësim të madh për ne, bashkë edhe me cënimin e rëndë të barazisë etnike nëpërmjet të rrënimit të Marreveshjes paqësore të Ohrit nga viti 2001.

Përkushtimi yt dhe i Shqipërisë për integrim europian është shembullor dhe uroj të na shërbejë si nxitje që ti bashkangjitemi edhe ne Shqiperisë në këtë rrugëtim.

Edi, të uroj shëndet e mbarësi në këtë mandat kaq të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe për rajonin.

Të priftë e mbara ty dhe Shqipërinë“, shprehet ai.

Top Channel