Abuzimi seksual ndaj të miturës në Gjirokastër/ Arrestohen katër të dyshuarit. Mes tyre njerku, punonjës i Policisë

18/09/2025 19:24

Një histori tronditëse u zbulua këtë të enjte në Këlcyrë, ku një vajzë e mitur 16-vjeçare dyshohet se është abuzuar seksualisht dhe më pas është bërë objekt shantazhi.

Hetimet kanë zbuluar se vajza e mitur është abuzuar nga njerku i saj, një 55-vjeçar, që rezulton të jetë punonjës i Policisë së Përmetit, dhe që u arrestua nga Policia e Gjirokastrës.

Sipas uniformave blu, e mitura është abuzuar nga njerku për rreth 3 vite. Në prangat e policisë ka rënë edhe një 46-vjeçar, i cili dyshohet se ka pasur lidhje intime me të miturën, si dhe shoku i tij, 27 vjeç. Lidhur me ngjarjen e rëndë, policia ka shpallur në kërkim edhe një tjetër efektiv të Policisë së Tepelenës, një 53-vjeçar, i cili dyshohet po ashtu se ka ngacmuar seksualisht vajzën e mitur. Pas publikimit të informacioneve në media të dy efektivët janë pezulluar nga detyra.

Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se 27-vjeçari dhe shoku i tij 46-vjeçar, në bashkëpunim midis tyre, kanë ushtruar presion ndaj vajzës së mitur, duke e kërcënuar dhe detyruar të bënte një video regjistrim, në muajin gusht të këtij viti, me 53-vjeçarin punonjës policie në Tepelenë, ku ky i fundit shfaqej në momente intime. Sipas Prokurorisë së Gjirokastrës, me këtë video, ata kanë shantazhuar efektivin e policisë, duke i kërkuar një shumë parash prej 12 mijë eurosh në këmbim, që të mos e publikonin. Ndaj tyre rëndojnë akuzat “Shtrëngimi me anën e kanosjes për dhënien e pasurisë”, ndërsa ndaj dy efektivëve të policisë akuza e “Ngacmimit seksual”.

Top Channel