Tentoi të vriste me armë zjarri një person në Kukës pas konfliktit banal, arrestohet 47-vjeçari, pranga edhe nipit

17/09/2025 15:51

Si rezultat i kontrolleve dhe administrimit të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të implikuar në rastin e datës 05.09.2025, rreth orës 21:00, në lagjen nr. 5, Kukës, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, u qëllua me armë zjarri, në drejtim të shtetasit H. A. (nga të shtënat nuk pati të dëmtuar), specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Kukës finalizuan operacionin “Episodi”.

Gjatë operacionit u ndalua autori i dyshuar, i identifikuar menjëherë pas ngjarjes, shtetasi F.(U.) D., 47 vjeç, banues në fshatin Pobreg, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Gjithashtu, u arrestua djali i motrës së 47-vjeçarit, shtetasi S. J., 23 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit dhe nuk ka kallëzuar në Polici.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel