
Muzeu i Artit dhe Trashëgimisë Islame, një qendër e re kulture, që do të ndërtohet në një godinë historik në qendër të Tiranës, pritet të jetë gati brenda vitit 2030, tha kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjatë prezantimit të projektit këtë mbrëmje.
Në këtë muze do të ekspozohen objekte e libra me vlerë të rrallë dhe për kreun e qeverisë, ky do të jetë një stacion kyç i historisë sonë si komb dhe i historisë së kryeqytetit në veçanti.
Rama vlerësoi arkitektit që do të punojë për këtë muze, Jesus Hernandez.
“Ajo që është e rëndësishme është se ky është një stacion kyç i historisë sonë si komb, i historisë së kryeqytetit. Kështu që, besoj se talenti i padiskutueshëm i arkitektit që është autor i një tjetër muzeu shumë të bukur, Muzeu Marubi në Shkodër, projektues i muzeut të ri kombëtar, është një garanci dhe më vjen mirë që paralelisht po punon edhe për një tjetër muze në Shkodër, muzeun që i dedikohet martirizimit të klerit katolik. Kështu plotësojmë edhe një mozaik të munguar të historisë së fesë në Shqipëri, që do të ketë hapësirën e vetë edhe në Muzeun Kombëtar”, tha Rama.
Kreu i qeverisë foli edhe për muzeun që pritet të hapet së shpejti e ku do të ekspozohet koleksioni i Artan Lames, që u nda nga jeta pak muaj më parë.
“Muzeu tjetër që është në ndërtim e sipër me koleksionin unikal të të ndjerit Artan Lame, na japin mundësi ta shohim të nesërmen e Tiranës të pasur me stacione, arti, kulture, historie, që do të shkojnë duke u shtuar”.
Top Channel