Inside Story/ “Do i filloj eliminimet nga Dorjani që të vijë…”, dëshmia me zë e Dumanit që zbulon intrigën me Alibejn për të futur në kurth Talo Çelën

17/09/2025 21:46

Dumani u ndje i mashtruar dhe i futur në kurth nga miku i vjetër. Pas dyshimeve që lindën me kontrollin policor në banesën e tij, nga bashkëpunëtor i Talos, Nuredin Dumani, kalon në krahun tjetër….

Kur Dumani dhe Alibej u bashkuan, Elbasani dhe Durrësi u mbuluan me arkivole. Në takimin e parë ata vendosën: Erjon Alibej paguan, Nuredin Dumani eliminon.

I pari që u ekzekutua dhe ra në pritën e ngritur nga bashkimi i forcave të dy personazheve të etur për hakmarrje ishte Dorjan Shkoza.

“Unë e filloj nga Dorjani, nga këta, Talo Çela do e kuptojë që jam unë edhe do vij. A je i sigurtë i thashë që mund të vij, se aty mund ta kapim, në qoftë se vjen. Tha po, unë mendoj se do bëhet i gjallë, sepse edhe me Festim Qolin, ai shkon shumë. Ok, në qoftë se ti e gjykon kështu ok, çfarë do nga unë? Çfarë mund të ofroj unë që mund të ndihmoj. Edhe më tha, unë tha çunat i kam gati. Unë për çdo vrasje marr gjysmat e lekëve përpara.

Hipi lart, marr një telefon, më kujtohet shumë mirë që ka qenë i-Phone 6 me SKY, edhe përpara se të shkoj atje i them Nuredinit, do hipi lart do marr një telefon edhe do vij, edhe mos e ke problem të jap 50 euro me vete. Jo tha, unë se kam problem”.

Nuredin Dumani i financuar nga “Krymi”, nën koordinimin e Arjan Spahisë, organizon Henrik Hoxhajn, Eljo Bitrin, Klevis Allën dhe Asllan Plakun për eliminimin e Shkozës, personin që e futi në grupin e Talo Çelës. Dorian Shkoza u ekzekutua më 2 mars 2020. Breshëria e kallashnikovit i mori jetën edhe mikut të tij Anxhelo Avdia…..

“Në atë kohë e kam mbajtur te shtëpia ime Henrikun me ditë. Se mbaj mend sa ditë, disa ditë, derisa organizova vrasjen e Dorjan Shkozës, ku aksidentalisht mbeti i vrarë edhe një person tjetër. Anxhelo Avdian unë e kisha komshi aty, më erdhi shumë keq, po ndodhi ashtu si ndodhi, po e thirri Dorjan Shkoza atë”.

Top Channel