Inside Story/ “Aman vëlla, jo sonte se do ta nxjerr unë në pritë Talo Çelën”, kush e tradhtoi ‘Momën’ dhe vdekja e mistershme e informatorit

17/09/2025 21:56

Në këtë histori gjakatare, nuk ekzistonte besa. Të gjithë i shisnin të gjithë. Tradhtia ishte mjeti kryesor i mbijetesës dhe parasë së shpejtë.

Në dëshminë e tij, Nuredin Dumani tregon se një nga njerëzit më të afërt të Talo Çelës u rekrutua nga kundërshtari i tij, Erjon Alibej.

“Kam deklarua edhe më përpara për një shtetas, që sot është vrarë. Ardian Çollakun. Ardiani kishte krijuar kontakt në telefon, dhe kishte pasur takime me Erjon Alibejin, kundrejt pagesës. Se Ardiani komunikonte me të gjithë, merrte lekë nga të gjithë. Ardiani, ishte shok i ngushtë i Talo Çelës. Pra, Ardiani na jepte shumë fare informacion për Talon. Edhe për aq herë sa e kemi pas ne informacionin për Talo Çelën, i merrnim vetëm nga Ardiani”.

Në këtë lojë, Erjon Alibej bleu njeriun më të afërt të kundërshtarit. Informacionet e brendshme të Talos kalonin drejt tij. Dumani tregon nuk e dinte që lidhja mes Ardianit dhe Erjonit ishte e konsoliduar. Alibej nuk i kish treguar pasi nuk i besonte askujt, pavarësisht besës që kishte lidhur me Dumanin për hakmarrje ndaj armiqve të përbashkët.

“Eljo Bitri me gjithë Erjon Alibej kishin krijuar kontakt telefoni. Kishin bërë edhe takime por pa e ditë unë, këtë unë e mora vesh mbrapa pastaj. Edhe i thashë: pse e bëtë këtë, mund të tregonit se unë s’kisha ndonjë problem për të ma mbajtur të fshehtë. Ato kishin frikë gjatë gjithë kohës, shiko se mos na vrasë ky ne. Pra kishte frikë, Erjoni mos e vras unë…”

Në një moment ata mësojnë se Talo Çela ishte në shtëpinë e Eljo Bitrit. Ishte mundësia perfekte për ta eliminuar. Por, ai vend nuk u kthye në skenën e vrasjes, pasi Bitri i trembej faktit që do dyshohej se e kishte nxjerrë në pritë dhe mund të zbulohej tradhtia.

“Bitri më thotë mua, që është Talo Çela këtu, i thotë edhe Erjon Alibejit. Ju luta Eljo Bitrit, shiko më thuaj po të vimë ta vrasim, se nuk mund të hamë në besë ty. ‘Aman vëlla jo sonte, se do ta nxjerr unë në pritë Talo Çelën’. Faktikisht më ka dhënë dy herë informacion, por më ka dhënë informacion fake.”

Dëshmia e Dumanit e tregon qartë se në këtë botë, askush nuk i beson askujt. Të gjithë tradhtojnë dhe të gjithë shesin njëri-tjetrin.

“Pra informacione më shumë për Talo Çelën na jepte Ardian Çollaku.”

Ardian Çollaku i rekrutuar nga Alibej, u ekzekutua së bashku me vëllain e Eljo Bitrit, më 4 tetor të vitit 2021 në një karburant pranë rrethrrotullimit të luleve. Makina e autorëve u dogj në Bradashesh, pranë banesës së Talo Çelës. Kjo ngjarje, nuk është zbardhur nga autoritetet sot e kësaj dite…

Top Channel