Edhe pse kanë kaluar më shumë se 4 muaj nga zgjedhjet e 11 Majit ,3300 numërues nuk kanë marrë pagesat e tyre për punën në ditët e numërimit të votave.

Në të gjithë Shqipërinë  në këto zgjedhje u caktuan 3327 numërues, të cilët do paguheshin në bazë të një urdhri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të  firmosur në 8 janar 2025.

Urdhri përcakton edhe pagesën për këtë pozicion, ku për numërues pagesa do ishte 6ooo lekë.

Kështu nëse llogarisim buxhetin që KQZ  ka akorduar për ta është rreth 20 milionë lekë.

Numëruesit e votës së Diasporës e përfunduan procesin e tyre në 20 maj, pra 9 ditë pas ditës së zgjedhjeve.

Një numëruese është ankuar në emisionin Fiks Fare pa e bërë publik emrin e saj, ku tregon se akoma nuk ka marrë paratë për punën e kryer në numërimin e votave. “ Edhe pse pagesa është qesharake, as atë nuk po na e japin, kemi shkuar në postë na thonë nuk kanë ardhur akoma, nuk po dimë si të bëjmë” thotë numëruesja.

Fiksi kërkoi një përgjigje edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili sqaron se i ka kaluar fondet pranë bashkive. Në përgjigjen e saj KQZ sqaron “ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ne shkresën nr.5665, date 23.07.2025 “Dërgojmë transferim fondesh buxhetore për pagesën e komisionerëve të ZAZ, QV, GNV, në funksion të zgjedhjeve të 11 Majit 2025”, ka dërguar fondet e nevojshme bashkive me destinacion të përcaktuar për shpërblimin e anëtarëve të komisioneve zgjedhore në zgjedhjet për Kuvend të datës 11 Maj 2025, konkretisht:

Shpërblimin për Komisionerët e zonave të administrimit zgjedhor KZAZ

Shpërblimin për Komisionerët e qendrave të votimit KQV

Shpërblimin për anëtarët e grupeve të numërimit të votave GNV

Pagesa e shpërblimit për Komisionerët e ZAZ-ve, QV-ve dhe GNV-ve bëhet sipas borderove të paraqitura nga Komisioni i Zonës së Administrimit të Zgjedhjeve, pranë Bashkisë përkatëse.

Të gjitha listat e sjella me vonesë apo të paplota nga KZAZ-të,  janë përfshirë dhe trajtuar në fondin e dytë, i cili është transferuar nga KQZ drejt bashkive me shkresën nr.5858, date 18.08.2025  “Dërgojmë transferim fondesh buxhetore për pagesën e komisionerëve të ZAZ, QV, GNV, në funksion të zgjedhjeve të 11 Majit 2025”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vënë në dispozicion  fondet buxhetore për çdo bashki.

Pra KQZ-ja  fondin e fundit e ka dërguar në Gusht duke ua hedhur fajin bashkive që ende nuk kanë bërë shpërndarjen e parave tek numëruesit.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel