
Skuadra U19 e Skënderbeut ka shkruar historinë në arenën ndërkombëtare, duke debutuar me një fitore të thellë 10-0 në ndeshjen e parë të raundit të parë të UEFA Youth League, përballë Inter D’Eskaldes të Andorrës.
Të rinjtë korçarë, kampionë aktualë të Shqipërisë në këtë kategori, dominuan totalisht takimin, duke e bërë të qartë që në minutat e para se nuk kishin ardhur për të eksperimentuar. Skuadra e drejtuar nga stafi teknik korçar hyri në fushë me vendosmëri dhe e vendosi fatin e ndeshjes që në pjesën e parë.
Skënderbeu zhbllokoi rezultatin me Korçarin, ndërsa më pas Beqiri (2) dhe Begaj i çuan shifrat në 4-0 para pushimit. Me këtë epërsi të thellë dhe superioritet të dukshëm teknik, korçarët e trajtuan pjesën e dytë si një festival sulmesh.
Në fraksionin e dytë, ritmi nuk ra aspak. Korçari shënoi edhe dy herë të tjera për të kompletuar “hat-trick”-un e tij, ndërsa Tahid, i futur nga stoli, ishte lojtari tjetër që shkëlqeu duke realizuar gjithashtu tre gola, për një fitore të jashtëzakonshme 10-0.
Me këtë rezultat historik, Skënderbeu U19 e ka pothuajse të sigurt kalimin në raundin tjetër, duke e kthyer ndeshjen e kthimit në Korçë në një formalitet. Fitorja e thellë jo vetëm që siguron një avantazh të jashtëzakonshëm, por edhe jep një sinjal të qartë për ambiciet e këtij grupi të talentuar futbollistësh të rinj.
Top Channel