Avokatët e kryebashkiakut Erion Veliaj, në një reagim për Top Story-n rendisin argumentet e  mbrojtjes që sipas tyre ndalojnë shkarkimin e Veliajt.

Sipas mbrojtjes, Erion Veliaj nuk mund të shkarkohet për sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë kundër tij dhe për sa kohë nuk është arrestuar në flagrancë, duke kryer një krim në detyrë.

Veliaj, thonë avokatët, ka të drejtën të ankohet në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të qeverisë për shkarkim. Erion Veliaj ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Kushtetuese. Derisa të marrë vendimin Gjykata Kushtetuese, vendimi i qeverisë është i pezulluar.

Veliaj, kryetar në detyrë dhe i zgjedhur me mbi 160 mijë vota, nuk ushtron dot detyrën, për shkak se është në paraburgim, jo për shkak të vullnetit të tij.

Avokatët ngrenë më tej pyetjen nëse do të zbatojë Këshilli Bashkiak kërkesën kushtetuese për proces të rregullt ligjor, duke e ftuar kryetarin e Bashkisë të shprehet dhe të mbrohet para tij.

Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, që pak ditë më parë kërkoi edhe nisjen e procedurave për largimin e Erion Veliajt nga drejtimi i Bashkisë, anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak u mblodhën sot për të përgatitur kërkesën për shkarkimin e Veliajt, duke theksuar mungesën 3 mujore të kryebashkiakut në detyrë. Më tej, u vendos që kjo kërkesë të shqyrtohet në 23 shtator në Këshill Bashkiak. Ndërkohë, nuk është diskutuar thirrja e Veliajt për të folur në Këshill përpara votimit.

Top Channel