
Pavarësisht një tjetër disfatë të rëndë në derbin e qytetit ndaj Manchester City, hierarkia e Manchester United vazhdon të besojë tek trajneri Ruben Amorim – edhe pse rezultatet e dobëta nuk kanë të ndalur.
“Djajtë e Kuq” u mposhtën 3-0 në Etihad nga ekipi i Pep Guardiolës, duke e thelluar krizën e fillimit të sezonit në Premier League, ku kanë grumbulluar vetëm 4 pikë nga 4 ndeshje – nisja më e dobët që nga viti 1992.
Pas ndeshjes, trajneri portugez u shfaq i qartë dhe i palëkundur në qëndrimin e tij, duke deklaruar se nuk do të ndryshojë sistemin 3-4-2-1, pavarësisht kritikave dhe mungesës së rezultateve.
“Nuk është një rekord që duhet ta kesh te Manchester United. Por unë besoj në mënyrën time dhe do të luaj kështu – derisa të vendos vetë të ndryshoj. Nëse dikujt nuk i pëlqen, le të më ndërrojë,” tha Amorim pas sfidës.
Sipas burimeve të brendshme, bordi i United mbetet i qetë dhe nuk ka plane të menjëhershme për të shkarkuar ish-trajnerin e Sporting Lisbonës. Sir Jim Ratcliffe, bashkë-pronar i klubit dhe figura kryesore e investimeve, ishte i pranishëm në Etihad dhe u pa duke mbuluar fytyrën me duar gjatë ndeshjes – një simbol i qartë i zhgënjimit.
Por, pavarësisht presionit nga tifozët dhe mediat, klubi nuk dëshiron të nisë një tjetër “rebuild” të kushtueshëm, pas shpenzimeve prej 220 milionë paund gjatë verës, të aprovuar nga Ratcliffe vetë për Amorim.
Që nga marrja e drejtimit të ekipit në nëntor, Amorim ka grumbulluar vetëm 31 pikë në 31 ndeshje – një mesatare katastrofale për një klub të kalibrit të United. Kjo është forma më e dobët mes 17 ekipeve që kanë qëndruar në elitë për dy sezonet e fundit.
Sezonin e kaluar, skuadra përfundoi në vendin e 15-të dhe humbi finalen e Ligës së Europës ndaj Tottenham – duke mbetur pa garë europiane për herë të dytë që nga largimi i Sir Alex Ferguson në 2013.
Situata nuk pritet të bëhet më e lehtë. Manchester United pret kampionët e botës, Chelsea, të shtunën në mbrëmje në Old Trafford – një ndeshje që mund të jetë vendimtare për të ardhmen e Amorimit në pankinë.
Top Channel