Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas

15/09/2025 11:27

Policia Rrugore e Durrësit ka goditur dy raste të tjera të tentativës për mitdhënie, gjatë kontrolleve intensive për respektimin e Kodit Rrugor dhe rritjen e sigurisë në rrugë.

Në një nga rastet, një 24-vjeçar u arrestua në flagrancë pasi tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë për të shmangur testin e alkoolit, ndërkohë që po drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

Ndërkohë, në një rast tjetër, një 36-vjeçar është proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi tentoi të shmangte një masë administrative për shkelje rrugore, duke u përpjekur të korruptonte punonjësit e Policisë me një shumë parash.

Rastet e konstatuara konkretisht:

A. Ç., 24 vjeç, banues në Luz i Vogël, Kavajë, u arrestua pasi gjatë ndalimit nga shërbimet e Policisë Rrugore, iu ofroi atyre 50 euro për të mos iu nënshtruar testit të alkoolit, ndërsa drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

F. K., 36 vjeç, banues në Durrës, u procedua penalisht në gjendje të lirë pasi, për të shmangur ndëshkimin me masë administrative për një shkelje gjatë drejtimit të automjetit, tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë me shumën 2.000 lekë të rinj.

Për të dyja rastet, materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe në rastin e parë edhe për “Drejtimin e automjetit në mënyrë të parregullt”.

Top Channel