
Federata Serbe e Futbollit reagoi pas vendimit zyrtar për zhvendosjen e ndeshjes së kualifikueseve për Kupën e Botës 2026 mes Serbisë dhe Shqipërisë nga stadiumi i Beogradit në atë të Leskovacit.
Në një komunikatë zyrtare, federata serbe shprehu falënderimet e saj ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-s për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, që lejuan këtë ndryshim vendi. Vendimi, sipas saj, u mor me qëllim kryesor garantimin e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në këtë ndeshje me rrezik të lartë.
Federata Serbe theksoi se organizimi në Beograd nuk do të mund të siguronte më kushtet e nevojshme të sigurisë, duke kujtuar edhe incidentet e vitit 2014 si shembull të rreziqeve që mund të lindin në këtë takim.
Ndeshja e kthimit e kualifikimeve për Botërorin do të zhvillohet më 11 tetor në stadiumin ‘Dubocica’ të Leskovacit, ndërsa ndeshja e parë në Tiranë përfundoi në barazim.
Sipas federatës, ky ndryshim u vendos pas analizave të detajuara të mundësive organizative, për të shmangur incidente të mundshme që kanë shoqëruar më parë përballjet mes këtyre dy ekipeve. Siguria e tifozëve, lojtarëve dhe stafit organizativ mbetet prioriteti kryesor.
Gjithashtu, Federata Serbe përmendi se organizimi në Leskovac do të kontribuojë në uljen e rrezikut të ndëshkimeve të rënda nga FIFA dhe UEFA, për shkak të incidenteve të kaluar, duke ruajtur reputacionin e futbollit serb.
Një tjetër arsye e rëndësishme për këtë zgjedhje është mbështetja e madhe që publiku i Leskovacit i ka dhënë më parë ekipit kombëtar, duke krijuar një atmosferë pozitive gjatë gjithë ndeshjes.
Në fund, Federata Serbe shprehu mirënjohjen e saj për UEFA-n dhe Federatën Shqiptare të Futbollit për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar në këtë çështje.
Reagimi i plotë:
Me miratimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, UEFA ka miratuar që ndeshja kualifikuese e Kupës së Botës e planifikuar për 11 tetor në orën 20:45 të luhet në stadiumin ‘Dubocica’ në Leskovac.
Pas ndeshjes kundër Anglisë në Beograd, vendimi për të ndryshuar vendndodhjen u mor bazuar në analiza të hollësishme të të gjitha aspekteve që lidhen me organizimin e një ngjarjeje sportive me rrezik të lartë siç është dueli i ardhshëm me Shqipërinë.
Arsyeja kryesore është siguria. Jo vetëm e tifozëve, por mbi të gjitha e lojtarëve dhe të gjithë aktorëve të tjerë të ndeshjes.
Një takim i tillë mbart nivelin më të lartë të rrezikut dhe kërkon kontroll të plotë, në mënyrë që të parandalohen incidente të tilla si ato që kemi pasur tashmë mundësinë të shohim në duelet midis këtyre dy ekipeve. Të gjithë i kujtojmë mirë ngjarjet dhe pasojat nga Beogradi në vitin 2014.
Federata e Futbollit e Serbisë ka qenë nën vëmendje të veçantë nga organet disiplinore të FIFA-s dhe UEFA-s për një kohë të gjatë për shkak të incidenteve në tribuna, gjë që sjell një rrezik real të ndëshkimeve të rënda, madje edhe pezullimeve më të gjata.
Ndryshimi i vendndodhjes dhe organizimit të ndeshjes në Leskovac zvogëlon ndjeshëm rrezikun e ekseseve të mundshme dhe kështu kontribuon në mbrojtjen e reputacionit të futbollit serb dhe interesave të ekipit kombëtar. Një arsye po aq e rëndësishme është atmosfera në stadiumin ‘Dubocica’ dhe fakti që në të gjitha ndeshjet e mëparshme, publiku në Leskovac i dha mbështetje të pakursyer ekipit tonë kombëtar dhe brohoriti nga minuta e parë deri në minutën e fundit.
Federata e Futbollit të Serbisë shpreh mirënjohjen e saj ndaj UEFA-s dhe Federatës Shqiptare të Futbollit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre konstruktiv në marrjen e këtij vendimi.
Top Channel