
FIFA ka zyrtarizuar një ndryshim të rëndësishëm në kalendarin ndërkombëtar të futbollit që do të hyjë në fuqi në vitin 2026.
Në vend të dy ndalesave të zakonshme në shtator dhe tetor, do të ketë vetëm një dritare të bashkuar për ndeshjet e ekipeve kombëtare, e cila do të zgjasë nga 21 shtatori deri më 6 tetor.
Gjatë kësaj periudhe, përfaqësueset kombëtare do të kenë mundësinë të zhvillojnë deri në katër ndeshje, duke përfshirë sfidat kualifikuese dhe miqësoret.
Ky ndryshim vjen si përgjigje ndaj ankesave të shumta të klubeve, të cilat prej vitesh kanë kritikuar fragmentimin e sezonit për shkak të pushimeve të shpeshta ndërkombëtare. Me një pauzë të vetme që zgjat tri javë, trajnerët e kombëtareve do të kenë më shumë kohë në dispozicion për të punuar me skuadrat, ndërsa klubet do të shmangin ndërprerjet e shpeshta dhe ngarkesën logjistike.
Për vetë futbollistët, ky rregullim pritet të sjellë një ulje të ndjeshme të ngarkesës fizike dhe psikologjike, pasi do të shmangen udhëtimet e shpeshta brenda pak javësh. Shumë prej tyre kanë shprehur mbështetjen për këtë model të ri, që kombinon më mirë interesat e kombëtareve dhe të klubeve.
Ky është një nga ndryshimet më të mëdha në kalendarin ndërkombëtar të futbollit në vitet e fundit, dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën si menaxhohen sezonet në të gjitha ligat kryesore të botës.
Top Channel