
Bota e sporteve dimërore është në zi pas lajmit tragjik për ndarjen nga jeta të Matteo Franzoso, skiatorit italian 25-vjeçar, i cili ndërroi jetë në një spital në Santiago të Kilit, pas një rrëzimi të rëndë gjatë stërvitjes në pistën La Parva, rreth 50 kilometra nga kryeqyteti kilian.
Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga Federata Italiane e Skive (FISI) në një deklaratë për mediat, duke e cilësuar këtë si një nga ditët më të trishta për sportin italian: “Jeta e re e Matteo Franzoso ka marrë fund në një klinikë në Santiago. Humbja është e paimagjinueshme për të gjithë komunitetin e skive.”
Franzoso ishte duke marrë pjesë në një seancë stërvitore me ekipin kombëtar, kur në përpjekjen për të kaluar një kërcim të vogël humbi kontrollin, u përplas me gardhin mbrojtës dhe përfundoi jashtë pistës, duke kaluar dy rrjete sigurie. Ai u transportua menjëherë me ambulancë ajrore në spital, ku u vendos në kujdes intensiv dhe në koma të induktuar.
Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ai nuk arriti të mbijetonte dëmtimit të rëndë në kokë dhe edemës cerebrale të shkaktuar nga rrëzimi.
I rritur në Sestriere, Franzoso ishte një nga talentet më të spikatura të brezit të ri në disiplinat e shpejtësisë. Në vitin 2020, ai zuri vendin e katërt në zbritje në Kampionatin Botëror për të Rinj në Narvik, ndërsa në vitin 2021 shënoi fitoren e tij të parë në Kupën Evropiane në super-G, në Zinal të Zvicrës.
Ai debutoi në Kupën e Botës më 17 dhjetor 2021, në Val Gardena, dhe u rendit 28-të në super-G në Cortina d’Ampezzo në janar 2023 – rezultati i tij më i mirë në këtë nivel. Në të njëjtin vit fitoi edhe titullin kombëtar italian në disiplinën e kombinuar.
Franzoso ndodhej në La Parva që prej 6 shtatorit, në kuadër të përgatitjeve me emra të njohur si Dominik Paris, Mattia Casse, Florian Schieder, Christof Innerhofer dhe të tjerë.
Presidenti i FISI-t, Flavio Roda, shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e Franzosos: “Kjo është një tragjedi për familjen e tij dhe për të gjithë sportin tonë. Është një plagë që na kthen te dhimbja e humbjes së Matilde Lorenzit një vit më parë. Duhet të bëjmë gjithçka që incidente të tilla të mos përsëriten më. Federata do të jetë gjithmonë në krah të atletëve dhe familjes së Matteos në çdo hap.”
Të gjithë anëtarët e Këshillit Federal, stafi teknik, trajnerët dhe atletët e FISI-së kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e Franzosos, duke e konsideruar humbjen e tij një plagë të pashërueshme për komunitetin sportiv italian.
Top Channel