Fotolajm/ Haga vishet kuqezi, mijëra shqiptarë manifestojnë në përkrahje të udhëheqësve të UÇK: Lironi çlirimtarët, s’kemi heronj për të sakrifikuar

14/09/2025 14:24

Qindra shqiptarë janë mbledhur sot në Hagë, pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Aty po zhvillohet një tubim në mbështetje të ish-krerëve të UCK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, arrestuar pesë vite më parë.

Qyteti holandez është veshur kuqezi, teksa protestuesit kanë dhënë mesazhet e tyre në formë paqësore, përmes pankartave që mbajnë në duar si: “Lironi çlirimtarët, kriminelët janë në Serbi”, “Ne kërkojmë standard, jo justifikime”, “S’kemi heronj për të sakrifikuar”, “Gjykatës, dëshmoni integritet”, “UÇK-ja bëri luftë çlirimtare”, “Liri për luftëtarët e lirisë”, “NATO, aleatët janë në gjyq”, “Kosova viktimë, Serbia agresore”, “Gjykata Speciale, devijim special”, “Mjaft është mjaft, gjyqe publike, jo drejtësi sekrete”, “Vetëm drejtësi, jo politikë”.

Protesta në Hagë u mbajt një ditë para se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të nisë paraqitjen e provave të saj dhe dëshmitarëve. Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

FOTO GALERI
1/27

Top Channel