Trump jep detaje për vrasësin e Kirk: Është 28-29 vjeç, i ati ndihmoi në kapjen e të birit

12/09/2025 14:56

Donald Trump ka dhënë detaje të reja për të dyshuarin në vrasjen e Charlie Kirk, gjatë një interviste për Fox News.

Sipas presidentit amerikan, i dyshuari është “28 ose 29 vjeç”, ndërsa më herët autoritetet kishin deklaruar se i dyshuari ishte në “moshë universitare (student)”.

Trump tha se dorëzimi i të dyshuarit në polici erdhi pas ndërhyrjes së babait të tij, i cili, sipas tij, u ndikua nga një “person besimtar, një pastor”, që e njihte të dyshuarin.

“Babai e bindi të birin. I dyshuari është në paraburgim tani,” tha Trump.

Sipas tij, babai shkoi më parë te një marshall amerikan, për të cilin Trump u shpreh se “ishte fantastik”. Më pas, ai ndihmoi në procesin e dorëzimit.

I pyetur për më shumë detaje, Trump tha se informacioni që po ndan është “bazuar në atë që po dëgjon” dhe shtoi se “mund të ketë nevojë për sqarim” më vonë.

Top Channel