
WYRYKI (Polonia Lindore) – Duke mbërritur përballë banesës së goditur nga droni rus të mërkurën në mëngjes, pas një udhëtimi 12-orësh direkt nga Ukraina e rrënuar prej mbi tre vitesh e gjysmë bombardimesh, reagimi i parë është një frymëmarrje e thellë, pothuajse një lehtësim. “Ka kaq pak?”, mendon me vete. “Gjithë kjo zhurmë për një shtëpi fshati të mbetur pa çati, pa viktima e të plagosur?”.
Pasditen e djeshme, mbetjet e çatisë së shkatërruar dhe rrënojat në oborr ndriçoheshin nga prozhektorët e televizioneve polake dhe ndërkombëtare, që përpiqeshin të intervistonin banorët e paktë të atij fshati të vogël (vetëm 68 gjithsej). Pronarët, një çift të moshuarish të dalë në pension, ndodheshin në spital për kontrolle. “Janë të tronditur nga emocionet dhe dhimbja”, tha një fqinj.
Por janë fjalët e Majenit, 62 vjeç, drejtor i shkollës lokale, ato që i japin kuptim skenës. “Jam i tmerruar. Lufta e nisur nga Vladimir Putini kundër Ukrainës ka mbërritur edhe tek ne. Dhe nuk do të ndalet, përkundrazi, është vetëm fillimi. Këtu jemi në Europë: diktatori rus do t’i marrë të gjitha. Fshatrat tanë në lindje të Polonisë do të kthehen në qendër të betejave të mëdha, ashtu si në të kaluarën. E kuptoni çfarë simbolizon sulmi kundër kësaj shtëpie të vogël në Wyryki? Rusia ka humbur çdo frenim dhe po sfidon europianët”, thotë me lot në sy.
Fytyra e tij është e gdhendur nga shqetësimi. E takojmë teksa po kthehet në shtëpinë e tij, vetëm 20 metra larg asaj të goditurës. Na tregon dritaret e thyera, copat e murit të rrëzuar në tokë. Ushtarët që nga mëngjesi i djeshëm kishin pastruar pjesën më të madhe të mbeturinave; kopshti që të çon te stalla e vogël prej druri ishte pjesërisht i pastruar. Shumë shtëpi rreth e rrotull ishin të errëta, sikur banorët të kishin vendosur të largoheshin papritur.
“Jam shumë mirënjohës për kontingjentet europiane të NATO-s, që ndërhynë për të ndihmuar njësitë tona ushtarake në ndalimin e dronëve rusë. E shoh jashtëzakonisht të rëndësishme që të tregojmë forcë dhe unitet. Sepse ndryshe Putini do të bëjë gjëra edhe më të rënda. Por, e përsëris, ndihem sikur jam buzë një vullkani: më e keqja ende nuk ka ardhur”, shton ai.
Kështu Wyryki kthehet në një vend simbol. Nuk është hera e parë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, që territori polak goditet nga dronë ose raketa ruse. Por dëmet në shtëpinë e dy të moshuarve këtë herë shoqëroheshin për herë të parë nga ndërhyrja e armatosur e aleatëve të NATO-s: sfida me Moskën bëhet e hapur dhe e drejtpërdrejtë.
Ndryshimi i përmasave të konfliktit është i lehtë për t’u dalluar gjatë udhëtimit me makinë nga Kievi. Duke lënë kryeqytetin ukrainas pas, kalon pranë vendeve të betejave të mars-prillit 2022. Duken llogore dhe pengesa metalike mes pyjeve të Borodjankës, ku rusët përpiqeshin të rrethonin kryeqytetin. Më tej rruga shkon paralel me Bjellorusinë, ku pranë kufirit shihen bunkerët me artileri.
Nga ana tjetër, kalimi i kufirit me Poloninë është pothuajse i zbrazët; doganierët ukrainas janë më shumë të shqetësuar të ndalojnë burrat në moshë për ushtri që përpiqen të arratisen jashtë vendit. Ushtarët, megjithatë, flasin me dëshirë, nuk është e vështirë të dëgjosh tregimet e tyre të luftës ulur nëpër kafenetë buzë rrugës.
Gjithçka ndryshon sapo hyn në Poloni. Flamujt e BE-së shënojnë kufirin dhe janë të dukshëm në hyrje të fshatrave. Por ushtarët polakë kanë marrë urdhër të heshtin plotësisht, ashtu si edhe përfaqësuesit e NATO-s. Për të mbërritur në Wyryki kalojmë nga një grup i vogël shtëpish në Wola Uhuruska, ku batalioni i 149-të logjistik sapo kishte ngritur një kamp me karavanë për ushtarët që administrojnë radarët dhe sistemet e interceptimit kundër raketave dhe dronëve.
Çdo gjë është e pastër, e rregullt, e vendosur sipas manualit. Tabelat e verdha tregojnë ndalimin absolut për të bërë foto. “Këtu gazetarët nuk mund të hyjnë”, na shpjegon me vendosmëri një roje. Pak më tej ndodhet vendi i ish-kampit të shfarosjes naziste të Sobiborit: midis majit 1942 dhe tetorit 1943 aty u vranë mes 170.000 dhe 250.000 hebrenj. Kujtimet tragjike të së shkuarës rëndojnë mbi këtë cep të Europës.
Top Channel