
Klubi londinez Chelsea rrezikon një gjobë të madhe pas akuzave të shumta nga Federata Angleze e Futbollit (FA) për shkelje të rregullave të agjentëve gjatë periudhës së pronësisë së Roman Abramovich.
FA njoftoi këtë mëngjes se ka ngritur 74 akuza ndaj Chelsea FC, të cilat lidhen me shkelje të rregullave të agjentëve, ndërmjetësve dhe investimeve të palëve të treta në lojtarë, për ngjarje të ndodhura midis viteve 2009 dhe 2022, me fokus të veçantë në sezonet 2010/11 deri 2015/16.
“Chelsea FC është akuzuar për shkelje të rregulloreve J1 dhe C2 të Rregullores për Agjentët, A2 dhe A3 të Rregullores për Bashkëpunim me Ndërmjetës dhe A1 dhe B3 të Rregullores për Investimet e Palëve të Treta në Lojtarë,” thuhet në deklaratën zyrtare të FA.
Klubi ka afat deri më 19 shtator 2025 për të dhënë përgjigjen e tij ndaj akuzave.
Sipas burimeve të brendshme, akuzat lidhen me pagesa të fshehta që janë bërë drejtpërdrejt agjentëve për transferimet e disa lojtarëve ndërkombëtarë, pa u regjistruar në llogaritë zyrtare të klubit. Këto pagesa nuk janë përfshirë në kalkulimet e Rregullores për Qëndrueshmëri Financiare (PSR), edhe pse, sipas një firme kontabiliteti të pavarur të angazhuar nga drejtuesit aktualë, Chelsea nuk do ta kishte tejkaluar PSR-në edhe nëse do të ishin përfshirë.
Hetimi fillestar është nisur nga Premier League në vitin 2023, pasi doli në pah se një sërë pagesash ishin miratuar personalisht nga Abramovich, pa dijeninë e drejtuesve të tjerë të klubit.
Transferimet që janë nën hetim përfshijnë Samuel Eto’o, Willian dhe Eden Hazard, me këtë të fundit që fillimisht ishte shumë pranë kalimit te Manchester United, por përfundoi te Chelsea pas një pagesë të dyshuar prej 6 milionë paundësh ndaj agjentit të tij, John Bico.
Akuzat janë zbuluar gjatë procesit të blerjes së klubit në vitin 2022 nga konsorciumi Todd Boehly, Behdad Eghbali dhe Clearlake Capital, të cilët më pas raportuan rastet te FA, UEFA dhe Premier League.
Në vitin 2023, Chelsea arriti një marrëveshje me UEFA-n për një gjobë prej 8.6 milionë £, ndërsa hetimi i Premier League vijon ende. Megjithatë, me shpalljen e akuzave nga FA, pritet që vendimi i Premier League të shtyhet për një kohë të pacaktuar.
Burime pranë klubit londinez besojnë se nuk do të përballen me sanksione sportive si heqje pikësh apo ndalim transferimesh. Chelsea pret një ndëshkim financiar, të ngjashëm me atë nga UEFA, ndonëse përmasat e akuzave mund të çojnë në një gjobë rekord.
Klubi ka deklaruar bashkëpunim të plotë me autoritetet dhe po punon për të mbyllur çështjen në mënyrën më të qetë të mundshme.
Top Channel