
Për herë të parë një anije e flotës ushtarake amerikane me përmasa dhe kapacitete gjigante mbërrin në një port shqiptar.
Ky moment shënon një kthesë për kapacitetet strategjike të Porto Romanos të cilat nënvizojnë edhe një partneritet të fortë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendit tonë.
USS Mount Whitney, e ankoruar në portin MBM të Porto Romanos në Durrës, është një nga dy anijet komanduese më të mëdha të forcave detare amerikane. Vizita e saj në Shqipëri thekson qartë rëndësinë gjeostrategjike të vendit tonë dhe kapacitetet e reja të infrastrukturës portuale.
Investimet e Kastrati Group e kanë shndërruar këtë port, si pika hyrëse e Korridorit VIII, në të vetmin në Shqipëri që mund të përballojë ankorimin e anijeve ushtarake dhe tregtare të tonazhit të lartë. Në bordin e anijes komanduese të Flotës së 6-të të SHBA-së, një prej simboleve më të fuqishme të marinës amerikane, u zhvillua një pritje zyrtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë nga të dy vendet.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin plotësisht dhe nxisin zhvillimin e një baze detare nga Shqipëria me kapacitet portual mallrash në ujëra të thella pikërisht këtu në Porto Romano. Investimi i Shqipërisë në përforcimin e Porto Romanos do t’i tregojë rajonit dhe të gjithë Europës aftësinë e Shqipërisë për të qenë një drejtuese e vërtetë në Aleancën e NATO-s”-u shpreh Nancy Van Horn.
“Ky është një moment historik që e kthen Porto Romanon në një pikë referimi për operacionet ndërkombëtare të sigurisë dhe thellon bashkëpunimin ushtarak e diplomatik mes dy vendeve dhe Nato-s”-u shpreh Begaj.
“Shqipëria mbetet një partner thelbësor në operacionet e NATO-s, dhe vizita jonë në Porto Romano është dëshmi e forcës së kësaj aleance. Ekuipazhi i ‘Team 20’ është i nderuar të ndodhet këtu dhe të vazhdojë ndërtimin e lidhjeve të qëndrueshme me aleatët tanë shqiptarë”-u shpreh Kapiten Colin Price, Komandant i USS Mount Whitney
Anija është projektuar për të udhëhequr operacione të përmasave të mëdha dhe për të drejtuar misione ushtarake në çdo cep të globit, falë kapaciteteve unike të komandës dhe teknologjisë së avancuar.
“Si anije flamur, ne kemi kapacitetin të ofrojmë komandë, kontroll dhe inteligjencë për Flotën e 6-të të SHBA-së. Unë e përshkruaj shpesh këtë anije si një Pentagon lundrues“-shprehet Jonathan DeSimone, Oficer i Sistemeve të Komunikimit dhe Informacionit
Flota e 6-të është përgjegjëse për një zonë të madhe operacionale, nga Poli i Veriut në atë të Jugut. Nga këtu, Komandanti i Flotës së 6, Nënadmirali Anderson mund të komandojë forcat dhe njesite e tij në çdo cep të kësaj zone.”
Në dallim nga anijet tipike luftarake, kjo anije mbështetet edhe tek diplomacia.
“Anija ka dy lloje fuqish: fuqinë e ashpër, bombat dhe raketat, dhe fuqinë e butë, që është diplomacia. Dhe pikërisht aty USS Mount Whitney ka forcën e vet më të madhe”- shton DeSimone.
Prania e kësaj anijeje në Shqipëri është një demonstrim i qartë i angazhimit për sigurinë rajonale dhe për partneritetin me aleatët strategjikë në Ballkan.
“Vizita jonë këtu në Shqipëri tregon angazhimin e Marinës së SHBA për forcimin e sigurisë detare, si dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në Detin Adriatik. Shqipëria është një aleat shumë i rëndësishëm i NATO-s.”- shprehet Samantha Mendiguren, Oficere e Marrëdhënieve me Publikun
Për shumë nga anëtarët e ekuipazhit, kjo ishte hera e parë në vendin tonë dhe përshtypjet nuk munguan
“Kjo është hera ime e parë në Shqipëri. Absolutisht e mrekullueshme! Shpresoj të kthehem një dite me bashkëshorten time”-shton DeSimone.
USS Mount Whitney do të largohet të enjten pas një qëndrimi dy ditor në vendin tonë.
Top Channel