Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mblidhet në Tiranë, merren vendime të rëndësishme

11/09/2025 18:36

Komiteti Ekzekutiv i qeverisë europiane të futbollit, këtë here vendimet e rëndësishme për edicionet e ardhshme të tij vendosi t’i marrë për herë të pare nga kryeqyteti Shqipërisë.

Të mbledhur në Tiranë drejtuesit e futbollit të Kontinentit të Vjetër e filluan ditën mjaft sportivisht me festivalin e futbollit të fëmijëve, ku disa prej tyre, ish-yje të fushës së blertë së bashku me presidentin Aleksandër Ceferin luajtën një ndeshje në kompleksin e kombëtares kuqezi, Shtëpia e Futbollit.

Numri një futbollit europian në fjalën e tij dha një mesazh të forte për këdo që prish ndeshjet e futbollit duke marrë shkasë me gjasë nga ngjarjet e fundit në eliminatoret e botërorit.

“Mesazhi im , jo vetëm për një ndeshje të caktuar, por për të gjithë është se futbolli dhe sporti duhet të jenë gjëja që bashkon njerëzit dhe jo që i përçan. Ne duhet të përpiqemi të largojmë këta ‘idiotë’ që e përdorin futbollin për ideologjitë e tyre absurde. Kudo, jo vetëm në një vend, por në të gjitha vendet. Sepse këta njerëz nuk e duan futbollin. Ata duan vetëm veten e tyre dhe e shfrytëzojnë futbollin për të përhapur idetë e tyre të kota”, tha Ceferin

Më pas presidenti i UEFA-s la të hapur mundësinë e zhvillimit të një aktiviteti të madh të UEFA-s në Shqipëri.

“Infrastruktura juaj dhe veçanërisht stadiumi kombëtar është shumë i bukur. Mund të organizojmë diçka këtu, por për momentin nuk do të ishte e drejtë nga ana ime të flisja për diçka konkrete. Di vetëm që keni infrastruktura është shumë e mirë dhe kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Armandon, gjë që ndihmon shumë”, tha numri një i UEFA-s.

“Do të doja të falënderoja publikisht Presidentin e UEFA-s, z.Aleksander Čeferin, për vendimin që mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të bëhet në Tiranë. Ky është një vlerësim jo vetëm për Federatën e Futbollit, por për të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar. Një vlerësim i bashkëpunimit të Federatës së Futbollit me UEFA-n dhe respekt i punës së komunitetit të futbollit shqiptar”, tha Armando Duka, presidenti i FSHF dhe njëkohësisht zv/president i UEFA-s.

Më tej argëtimi i la radhën mbledhjes ku u morën vendimet e rëndësishme për aktivitetet e së ardhmes të UEFA-s, si përzgjedhja e stadiumin “Metropolitano” të Madridit si vendin pritës të finales së Ligës së Kampionëve për vitin 2027.

Stadiumi kombëtar i Varshavës do të presë finalen e Ligës së Kampioneve për vajza në vitin 2027, ndërsa finalja e Superkupës së UEFA/s do të luhet në Salzburg por edhe vendime të tjera të mënyrës së shpërndarjeve të parave ndryshimet që kanë të bëjnë me lojtarët që dëmtohen gjatë kompeticioneve dhe vendime administrative.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta