Vrasja e Agustin Kazës në Belgjikë/ Policia publikon foton e autorit të dyshuar, kërkon bashkëpunimin e qytetarëve

10/09/2025 10:47

Hetuesit po kërkojnë të identifikojnë personin që ka kryer vrasjen e Agustin Kaza-s, i cili u qëllua për vdekje në tarracën e një kafeneje më 28 prill 2024, në Belgjikë.

Policia belge publikoi foto nga autori i dyshuar i vrasjes së Kazës, teksa u bëjnë thirrje qytetarëve që të kontaktojnë policinë nëse kanë informacion për vendndodhjen e autorit të dyshuar të vrasjes.

Mediat belge raportojnë se policia belge ka lëshuar një urdhër të tretë kërkimi në kuadër të hetimeve për vrasjen e Agustin Kazës, ngjarje e ndodhur më 28 prill 2024, në lagjen Schaerbeek të Brukselit.

Zyra e prokurorit publik të Brukselit ka publikuar deri tani tre njoftime zyrtare kërkimi, për tre persona të ndryshëm, që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në ngjarje.

I dyshuari i parë, u identifikua në maj 2024 përmes kamerave të sigurisë. Ai kishte veshur një kostum të errët me një vijë të kuqe në shpatulla, kapelë dhe kapuç. Lëvizte duke çaluar dhe u pa duke u larguar drejt Rue Ernest Laude.

I dyshuari i dytë, 1.80 m i gjatë, me trup mesatar, fytyrë të dobët, flokë të errët dhe mustaqe. I veshur me xhinse gri të errëta dhe një xhaketë të zezë me kapuç.

I dyshuari i tretë (kërkohet aktualisht). Policia kërkon ndihmë për të identifikuar një burrë me trup të shëndoshë, të veshur me xhinse gri të errëta, një bluzë me kapuç të zi dhe kapelë të zezë.

Top Channel